Qytetari dyshohet se qëllimshëm ka kontaminuar ujin e pijes në Rahovec
Gjendje alarmante për shkak të kontaminimit të ujit të pijes ka shpallur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në komunën e Rahovecit.
Kjo ka ndodhur, shkaku se një banor i fshatit Xërxë të komunës së Rahovecit dyshohet të ketë përzier me qëllim ujin e pijes me ujin që përdoret për ujitjen e tokave bujqësore.
Z.Th, pa pranuar të flasë para kamerës, ka mohuar të ketë bërë një gjë të tillë, duke thënë se ai, shumicën e kohës është jashtë Kosovës, raporton KTV.
Zëdhënësja e Kompanisë rajonale të ujësjellësit “Gjakova”, Kaltrina Rudi, thotë se pas analizave të bëra, tani uji është i pijshëm.
Tutje, Rudi ka treguar se do të ngritin kallëzim penal ndaj konsumatorit Z.Th.
Ndonëse ajo thotë se qytetarët e komunës së Rahovecit janë informuar për gjendjen e uji, vetë banorët e fshatit Xërxë mohojnë të kenë ditur se uji nuk është dashur të konsumohet këto ditë.
Banorët nuk kanë dashur të flasin para kamerës, por i kanë thënë televizionit që ka disa vjet që ndodh e njëjta gjë dhe se nuk lajmërohen me kohë rreth cilësisë së ujit.
E nga komuna e Rahovecit kanë thënë se janë shqetësuar për gjendjen e krijuar, por që tani është gjithçka në rregull.
Ditë më parë, në gjendje të tillë ishte edhe komuna e Kamenicës, për shkak të kontaminimit të ujit të pijes.