24-04-2024

Rahovec: Dënohet me kusht pronarja e kompanisë që pa licencë kishte shfrytëzuar resurset e rërës

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me tre muaj burgim me kusht për të akuzuarën për veprën penale “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale”, Resmije Thaqi.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, e akuzuara Thaqi nuk kryen vepër tjetër penale.

Aktgjykimi ndaj saj është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që e akuzuara paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, e akuzuara Thaqi, ka thënë se ndihet fajtore për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.

Ajo ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, nën e pesë fëmijëve, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurorja Mone Syla, e cila tha se pranimi i fajësisë ka mbështetje në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shabani, të akuzuarën e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.

Ndërsa, të dëmtuarën e ka udhëzuar në kontest juridiko civil.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 21 gusht 2017, ndaj Resmije Thaqi, duke e ngarkuar atë me veprën penale “Dënimet penale për aktivitetet e jashtëligjshme minerale” nga neni 80 i Ligjit për Miniera dhe Minerale.

Sipas aktakuzës, e pandehura më 31 mars  2017, në fshatin Xërxe të Rahovecit, si pronare e kompanisë “Ardi Comerc” sh.p.k shfrytëzon jashtë mase burimet natyrore, duke operuar ilegalisht në shfrytëzimin-seperimin e resurseve minerale.

Në aktakuzë thuhet se gjatë kontrollit të inspektorëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) është vërtetuar se e pandehura ka ushtruar aktivitet të paligjshëm pa u pajisur me licencë të nevojshme të organit kompetent, për këtë aktivitet.

Në aktakuzë thuhet se me anë të aktivitetit të shfrytëzimit të rërës dhe zhavorrit, e pandehura i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm material në vlerë 703.64 euro. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.