Rahovec: Ia vodhi telefonin derisa viktima punonte tokën, dënim me kusht të akuzuarit
Tre muaj burg dhe 200 euro gjobë me kusht ka shqiptuar Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, për të akuzuarin për vjedhje, Avdi Rexhaj.
Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën një vjeçare, i akuzuari Rexhaj nuk kryen vepër tjetër penale.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi, Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, i akuzuari Rexhaj, ka thënë se ndihet fajtor për veprën të cilën e ka kryer dhe pendohet për rastin që i ka ndodhur.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të ketë parasysh se është i gjendjes së dobët ekonomike, mbajtës i familjes, ashtu që t’i shqiptojë një dëmin sa më të butë.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori Ramiz Buzhala, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe është i bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës.
Gjyqtari Shabani, të akuzuarin e ka obliguar t’i paguaj shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro në total.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 31 gusht 2017, ndaj Avdi Rexhaj, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri me 13 qershor 2017, rreth orës 12:00 në Rahovec në rrugën “Asllan Kleqka”, më saktësisht në garazhin e të dëmtuarit Bilall Spahiu, me qëllim që vetit t’i sjell përfitime të kundërligjshme merr pasurinë e tjetrit.
Në aktakuzë thuhet se ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke punuar tokën e tij bujqësore, i pandehuri shfrytëzon momentin e volitshëm, derisa dera e garazhit ishte e hapur, hyn brenda saj dhe merr telefonin e tipit “Samsung Galaxy Expres 2” në vlerë prej 225.95 euro./BetimipërDrejtësi.