Rahovec: Synohet largimi i mbeturinave të ngurta dhe të amvisërisë

Komuna e Rahovecit, sot do të nisë aksionin për pastrim në gjithë territorin e kësaj komune.

Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u bëri thirrje qytetarëve të kësaj anë, subjekteve afariste, organizatave joqeveritare, institucioneve arsimore, individëve dhe të gjithë atyre që e duan një ambient më të pastër, që të bashkohen në aksionin gjithëpërfshirës për heqjen e mbeturinave të ngurta dhe të amvisërisë.

 

Latifi ka njoftuar se aksioni do të vazhdojë deri në heqjen e të gjitha “pikave të zeza” me mbeturina në tërë hapësirën e komunës së Rahovecit.

 

“Komuna e Rahovecit synon që në një afat sa më të shkurtër kohor të shndërrohet në zonë atraktive e turizmit rural e kulturor, prandaj kërkohet që secili të përmbushë pjesën e vetë të përgjegjësisë”, ka thënë ai.

 

Aksioni simbolikisht do të fillojë në orën 8:30, nga vendi i quajtur “Rrasat e Rahovecit”.