22-05-2019

Rahovec: Vrasja e dyshimtë e 32-vjeçarit, policia jep informatat e fundit

Janë intervistuar disa persona lidhur me vrasjen e dyshimtë të 32-vjeçarit, Naser Murselaj i cili u gjend i vdekur në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Qifllak të Komunës së Rahovecit.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj ka thënë për Gazetën Insajderi se deri më tani policia është duke zhvilluar hetimet dhe kanë intervistuar disa persona.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, respektivisht Sektori Rajonal për Hetime nga kjo Drejtori në bashkëpunim me prokurorin e çështjes janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e rrethanave të krijuara në këtë rast. Meqenëse jemi në fazën fillestare të hetimeve deri më tani kemi intervistuar disa persona por akoma nuk kemi arritur të identifikojmë kryesin e mundshëm të kësaj vepre. Po ashtu deri më tani nuk dihet motivi i vrasjes”, ka thënë Lirije Podrimaj.

Dje Naser Murselaj, 32 vjeç, është gjetur i vrarë në oborrin e shtëpisë së tij në Qifllak të Rahovecit. Për vrasjen që sipas familjarëve mund të jetë kryer në ndonjë lokacion tjetër dyshohet se pastaj të riun e kanë sjellë pa shenja jete në oborr të shtëpisë, policia nuk e di motivin dhe as autorin. /Insajderi.com

Asnjë koment

Comments are closed.