Rahovec: Zjarrfikësi mohon se vodhi dy telefona që gjendeshin në veturën e aksidentuar

Ai akuzohet se në korrik të vitit 2019, në rrugën magjistrale Rahovec-Gjakovë, pas një aksidenti që kishte përfunduar me fatalitet, kishte vjedhur dy telefona që gjendeshin në veturën e aksidentuar, ku sipas aktakuzës, ai në vendngjarje kishte shkuar në cilësi të zjarrfikësit për të ofruar ndihmë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari Neki Kollari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Kollari, avokati Hasan Prushi, ka thënë se heqin dorë nga seanca e shqyrtimit i dytë dhe ka kërkuar nga gjykatësi Ilir Rashkaj, që seancën e shqyrtimit kryesor ta caktojë në një afat sa më të arsyeshëm, pasi që i mbrojturi i tij, është i suspenduar nga puna dhe ka interes që kjo çështje të kryhet sa më parë.

Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë dhe ka hequr dorë nga shqyrtimi i dytë, gjykatësi Rashkaj, seancën e shqyrtimit kryesor e ka caktuar më 20 shkurt 2020, në ora 13:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur më 22 tetor 2019, i pandehuri Neki Kollari akuzohet për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Ai akuzohet se më 26 korrik 2019, rreth orës 16:40-17:00, në rrugën magjistrale Rahovec-Gjakovë, pikërisht në vendin e quajtur Bërrnjakë në Rahovec, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, ia merr tjetrit pasurinë e luajtshme dhe dy telefona të markës “Samsung S8” dhe “Samsung J7”, të mbetur në një veturë të aksidentuar.

Neki Kollari (7)

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka shfrytëzuar gjendjen e krijuar si rezultat i aksidentit të trafikut që kishte përfunduar me fatalitet, në atë mënyrë që në veturën e aksidentuar kishin mbetur dy telefona, ndërsa i pandehuri në vendin e ngjarjes kishte shkuar në cilësi të zjarrëfikësit për ofrimin e ndihmës, e aty merr dy telefona dhe të njëjtit i fsheh në ulëse të kamionit “Iveco”, të cilin e voziste tani i akuzuari.

Sipas aktakuzës, më 26 korrik 2019, rreth orës 21:30, të njëjtit telefona janë gjetur nga disa  dëshmitarë në ulësen e pasme të kamionit dhe më pas janë dorëzuar në Polici.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”, nga neni 315, paragraf 1 pika1.3 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Foto në ballinë: Arkiv