19-04-2024

Ramazani po afron, fakte interesante rreth këtij muaji të shenjtë për myslimanët

Për myslimanët këtë të enjte, më 23 mars, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. Agjërimi para lindjes së diellit deri në perëndim të diellit zgjat diku nga 12 deri në 18 orë, në varësi të vendit ku ndodheni në botë.

Myslimanët besojnë se Ramazani është muaji kur vargjet e para të librit të shenjtë Kuranit iu shpallën profetit Muhamed më shumë se 1400 vjet më parë.

Agjërimi përfshin abstenim nga ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet seksuale gjatë orëve të ditës për të arritur një “takva” ose vetëdije më të madhe për zotin.

Ramazani fillon çdo vit 10 deri në 12 ditë më herët. Kjo për shkak se kalendari islamik bazohet në kalendarin hënor të Hixhrit me muaj që janë 29 ose 30 ditë.

Këtë vit, dita e parë e agjërimit në Mekë do të jetë e enjtja, 23 mars, në varësi të shikimit të hënës së re.

Tri ditët e para të këtij Ramazani do të numërohen me kohën dimërore, ndërkaq ditët e tjera me kohën verore, pasi ndërrohet ora.

Për shkak se viti hënor është më i shkurtër se viti diellor për 11 ditë, Ramazani do të festohet dy herë në vitin 2030, fillimisht duke filluar më 5 janar dhe më pas duke filluar më 25 dhjetor.

Herën tjetër që do të fillojë Ramazani më 23 mars do të jetë 33 vjet nga tani – në vitin 2056.

Numri i orëve të ditës ndryshon në të gjithë botën.

Myslimanët që jetojnë në vendet më jugore të botës, si Kili apo Zelanda e Re, do të agjërojnë mesatarisht 12 orë, ndërsa ata që jetojnë në vendet më veriore, si Islanda apo Irlanda, do të kenë agjërim më shumë se 17 orë.

Për myslimanët që jetojnë në hemisferën veriore, numri i orëve të agjërimit do të jetë pak më i shkurtër këtë vit dhe do të vazhdojë të zvogëlohet deri në vitin 2031, vit që Ramazani do të përfshijë solsticin dimëror – dita më e shkurtër e vitit. Pas kësaj, orët e agjërimit do të rriten deri në solsticin e verës – dita më e gjatë e vitit në hemisferën veriore.

Për myslimanët që jetojnë në jug të ekuatorit, do të ndodhë e kundërta.

Para agimit, njerëzit hanë një vakt të quajtur syfyr, ndërkaq vakti i muzgut quhet iftar.

Në qytetet ekstreme më veriore, si Longyearbyen në Norvegji, ku dielli nuk perëndon nga 20 prilli deri më 22 gusht, janë nxjerrë vendime fetare për të ndjekur kohën në Mekë, Arabinë Saudite ose në vendin më të afërt mysliman.

Fëmijët e vegjël, gratë që janë shtatzënë, gjidhënëse ose me cikël menstrual, të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetësore, nuk kanë nevojë të agjërojnë.

Për shumë njerëz, Ramazani është një kohë për t’u ndjerë më afër Zotit, për t’u lutur, për të kaluar kohë me njerëzit e dashur dhe për të bërë bamirësi.

Deri në fund të Ramazanit, besimtarët duhet të paguajnë Zekat al-Fitr – një kontribut për të mbështetur njerëzit në nevojë prej rreth 5-7 dollarë amerikanë për kokë.

Gjatë 10 ditëve të fundit të Ramazanit, myslimanët festojnë Natën e Kadrit, natën më të shenjtë të vitit, nata kur Kurani iu shpall për herë të parë profetit Muhamed.

Në Kosovë këtë të enjte syfyri lihet në orën 3:55, ndërkaq iftari do të hahet në 17:59.

Asnjë koment

Comments are closed.