Rashica flet për synimet në sezonin e ri dhe lidhjen që ka me Kosovën
Prestigjiozja gjermane “Bild” i ka kushtuar një hapësirë të rëndësishme në një intervistë futbollistit të Werder Bremenit dhe të përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica.
Ai luan me Bremenin që nga fillimi i vitit 2018 dhe tashmë është shndërruar në pikë referimi në skuadër falë ndikimit që ka pasur në lojë dhe me golat e tij. 23-vjeçari deklaron pa modesti pse pëlqehet aq shumë në atdheun e tij, si dhe tregon çfarë dëshiron të arrijë me Bremenin në sezonin e ardhshëm, përcjell supersport.
“Yll” në Kosovë
“Të gjithë janë të çmendur për futbollin atje. Unë mendoj se jam një nga lojtarët më të famshëm në vend. Përpiqem ta përdor atë vëmendje për të bërë sa më mirë”, u shpreh Rashica.
Shembull jo vetëm në futboll
Rashica kërkon të jetë shembull edhe në jetën shoqërore të Kosovës. Pak kohë më parë mbështeti financiarisht një organizatë bamirësie gjatë muajit të Ramazanit.
“Ishte një ndjenjë e bukur. Nuk ka më mirë se të jesh në gjendje t’i ndihmosh njerëzit në nevojë”, tha ai.
Familja dhe miqtë
Rashica është shumë i lidhur me Kosovën. Kur udhëton me ekipin kombëtar, gjithmonë përpiqet të planifikojë kohë për familjen.
“Familja më ndjek edhe në stërvitje. Të gjithë miqtë e mi janë atje. Kur kemi ndonjë ditë pushimi, shpesh udhëtoj për në shtëpi, e shijoj në maksimum kohën atje”, thotë Rashica.
Sezoni i ri
Werder Bremeni e humbi për vetëm 1 pikë mundësitë për të luajtur në Europa League.
Pavarësisht largimit të sulmuesit kryesor të ekipit, Max Kruse, Rashica është optimist.
“Ne kemi mbajtur pothuajse të gjithë ekipin, e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Mendoj se mund të kualifikohemi në Europa League, sepse kemi një ekip të mirë. Do të bëj gjithçka që mundem për të shënuar sa më shumë gola”, tha Rashica.
E ardhmja
Sulmuesi 23-vjeçar nuk mendon intensivisht për të ardhmen e tij sportive.
“Për të gjitha këto gjëra kam menaxherin tim, i cili është gjithashtu një mik i mirë. Sigurisht që gjithmonë ka interes nga klubet, por nuk shqetësohem aspak për këtë”, u shpreh Rashica, që komentoi edhe vazhdimin e mundshëm të kontratës me Werderin. “Nëse është më mirë për mua dhe gjejmë një zgjidhje, do ta bëjmë këtë. Sidoqoftë, tani për tani nuk jam duke menduar për këtë temë”.