20-04-2024

Rasti ‘‘Burdushi’’, eksperti thotë se blerjet në vlerë prej mbi 1 milion euro janë sqaruar nga faqja e 13-të e ekspertizës

Eksperti financiar, Ramadan Ferizi ka sqaruar tabelën e rekapitulacionit të ekspertizës duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Feim Alaj në rastin ku Hysri Peqani po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Ferizi ka sqaruar se çmimi prej 116 mijë euro i automjetit të blerë në Auto-sallon ‘‘Alberti’’ është i bazuar në kontratën e noterizuar të shitblerjes në të cilën përcaktohet edhe mënyra e pagesës dhe nëse kjo është dërguar në përmbarim nuk është relevante për të, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

‘‘Në shkresat e lëndës ekziston fatura të cilat i janë bashkangjitur, ku shkruan se para të gatshme 21 mijë euro, kartelë 95 mijë euro, fakti se kjo qenka kundërshtuar apo se është dërguar në përmbarim për mua nuk është relevante’’,  tha ai.

Ai sqaroi se kartelë nënkupton kartela e bankës andaj sipas tij, fakti që dëshmon se kjo pagesë është bërë, është kuponi fiskal i bashkangjitur në faturë, duke shtuar se për të e vërtetuar nëse ka ndodh ky transaksion nuk i takon atij por është punë e ATK-së.

Tutje, i pyetur nëse duhej kjo vlerë të përfshihej në përmbledhjen përfundimtare pavarësisht faktit se ky automjet është ende i pa paguar, eksperti Ferizi tha se ky automjet sipas Agjencionit për Regjistrimin Civil-Drejtorati për Regjistrimin e Automjeteve me shkresën e 20 nëntorit 2018 ka njoftuar Sektorin e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren se ky automjet është i regjistruar në emër të Hysri Peqanit.

Ndërsa i pyetur për ngastrën kadastrale 6980-1, eksperti sqaroi se mbrojtja duhet të përqendrohet se sa është vlera e pagesës të cilën i akuzuari e ka kryer për kompaninë ‘‘Liburnia’’, duke thënë se këto pagesa të bëra disa me “cash” e disa me tranfere janë të sqaruara në faqen 18, 19, 20 dhe 21 të ekspertizës.

Ai sqaroi se të gjitha blerjet e bëra kanë krijuar shumën totale në tabelën e rekapitulacionit, si vlera e patundëshmërive-paluajtshmërive është 1 milion e 139 mijë e 300 euro, e kjo sipas tij e sqaruar nga faqja 13 e ekspertizës, pikat 1 deri në 10.

Eksperti Ferizi tha se ekzistojnë deklaratat e pronarit të ‘‘Liburnis’’, Destan Hoxha me anë të së cilave dëshmohet se ai ka pranuar shumat e specifikuara nga Hysri Peqani.

‘‘Në shkresat e lëndës gjendet se me datë 04.12.2014 në mes të Hysri Peqanit dhe Destan Hoxhës është lidhur edhe kjo marrëveshje ku thuhet se ‘sot pasi e morëm kredinë në BKT në shumën 248 mijë euro dhe i morrëm paret, i murr Destan Hoxha, pas tërheqjes Destani mi kthej paret e pagesave që i kemi bë, faturat dhe paret i pranova, krejt në rregull’, kështu shkruan ‘dhe jemi barazuar me borxh që kemi pas ndaj firmës Liburnia’. Kjo deklaratë ekziston në shkresat e lëndës’’, shtoi eksperti.

Tutje, i pyetur se pse janë përfshirë shuma e automjeteve të para luftës, mbas luftës të blera me cash, kompensimet për vetura dhe kreditë e marra në rekapitulacion, eksperti financiar tha se e gjithë kjo është bazuar në të dhëna zyrtare të cilat kanë informuar se i akuzuari Peqani i posedon këto automjete.

‘‘Në faqen 40 të ekspertizës e gjeni se çmimi i automjeteve janë të nxjerra nga amortizimi sipas normave evropiane të shfrytëzimit të automjeteve sipas gjendjes 31.12.2019’’, tha ai.

Në vazhdim ai u pyet nëse në vlerat e llogaritura është dashur të zbriten nga kapitali kreditë e marra dhe ende të pashlyera, eksperti sqaroi se ai në ekspertizë ka marr vetëm vlerat e kredisë që i akuzuari Peqani i ka kthyer dhe jo sa i njëjti i ka marr.

‘‘Në pikën 3 është marr vetëm vlera e kredive të kthyera, sa ka kthyer Hysri Peqani kredi dhe jo sa ka marr. Për shembull për sqarim, shikoni në faqen 46 të ekspertizës, bazuar në marrëveshje kreditore dhe të dhënat zyrtare nga Banka Qendrore dhe atë me datën e klasifikimit të fundit 2022, vetëm te BKT i ka marr kredi 465 mijë euro dhe këtë shumë unë nuk e kam marr, vetëm e kam ilustruar me qenë ma i qartë, unë i kam marr vetëm shumën që ky ka kthyer dhe gjithsej është fjala vetëm te BKT ka kthyer 389 mijë e 715 euro, në këto tri llogari bankare të specifikuara në këtë faqe’’, shtoi eksperti Ferizi.

I njëjti po ashtu përmendi secilin automjet të cilin e ka përfshirë në vlerën e kapitalit të automjeteve, si ato të blera dhe ato me autorizim të pa kufizuar, për të cilat tha se gjykata e vlerëson se si duhet të trajtohen të njëjtat.

Po ashtu ai tha se nga të gjitha marrëveshjet e kredisë së analizuara, sipas tij asnjë nuk e kishte hasur se është marr kredia për blerje të veturave.

Ndërkaq i pyetur nëse ishte dashur të i zbret shumat kur ka pasur këmbime, eksperti Ferizi tha se nuk ka pasur prova se ka pasur këmbime as në blerjen e veturave e as në prona, duke shtuar se të mungesë të shënimeve nuk i ka përfshirë në ekspertizë.

‘‘Ka raste kur si kompensim është dhënë një automjet konkretisht në faqen 18 të ekspertizës, i jep 100 mijë euro cash dhe automjeti në vlerë prej 35 mijë euro Audi A5 dhe këtë vlerë të këtij automjeti unë nuk e kam përfshirë në pagesa as në vlerë totale sepse nuk e kam pasur asnjë shënim lidhur me këtë automjet dhe ka raste tjera, si për shembull më 07.06.2011 shkruan Ugovor -kontratë dhe theksohet se për një ndërtim të një objekti Hysni Peqani i ka dhënë 3 automjete dhe nuk i kam identifikuar në ekspertizë se nuk ka të dhëna zyrtare’’, tha i njëjti.

Lidhur me kontratën për pronë në mes të të akuzuarit Peqani dhe Myfyti dhe Kujtim Rugovës, eksperti tha se në marrëveshjen e 12 shtatorit 2013 pagesa është e specifikuar në shumën prej 60 mijë euro dhe nuk ka prova se ka ndonjë kompensim me veturë.

Ndërkaq i pyetur nëse e ka parë marrëveshjen nga të njëjtit palë dhe për të njëjtin objekt por me kushte të reja të pagesës e 13 shtatorit 2013, eksperti u përgjigj se ‘‘nuk e kam parë’’.

Duke qenë se ishte në përfundimi i orarit të punës, kryetari i trupi gjykues, gjykatësi Lutfi Shala deklaroi se seanca e sotme do të ndërpritet për të vazhduar nesër, më 21 tetor 2021, ku pritet që trupi gjykues të parashtrojë pyetjet për ekspertin Ferizi.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.