25-11-2024

Rasti Dehari, ekspertiza zvicerane ka 50 faqe, përkthimi do të vonojë

Kanë kaluar gjashtë ditë prej konferencës për media, kur kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala njoftoi se ka arritur në Kosovë, përmes ambasadës së Zvicrës raporti për ekspertizën e rastit të Astrit Deharit.

Deri më tani, pavarësisht kërkesave të palës mbrojtëse e familjes Dehari ekspertiza nuk iu është dhënë atyre. Prokuroria në Prizren të premten e javës që shkoi, prindërve e gruas së Deharit iu tha se rezultati i ekspertizës është dërguar për t’u përkthyer, e për këtë do të duhen 3 ditë. Kjo pavarësisht se familja Dehari kanë kërkuar që raporti t’u dorëzohet në gjuhën me të cilën Instituti në Llozanë të Zvicrës e ka dërguar në Kosovë.

Gazeta Express ka kontaktuar të mërkurën kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren për të pyetur se kur do të përfundohet përkthimi i raportit.

Kryeprokurori Admir Shala i ka thënë Gazetës Express se janë duke pritur se kur do t’i njoftojnë se përkthimi është kryer. Ai  ka pohuar se arsyeja e vonesës është pasi që bëhet fjalë për material që ka mbi 50 faqe.

“Po presim edhe ne kur na njoftojnë. Besojmë që brenda javës përfundohet. Janë mbi 50 faqe material”, ka thënë kryeprokurori.

Për vonesën e dorëzimit të raportit kanë reaguar edhe familja Dehari dhe avokati mbrojtës Tomë Gashi. Avokati është ankuar se nuk po e dinë pse duhet një javë për të përkthyer një raport tre faqe.

“Nuk e kuptoj këtë vonesë për përkthim të një raporti tre faqe”, ka thënë ai.

Aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit më 18 nëntor 2016 nxorri se Dehari ka bërë vetëvrasje, por rezultatet e këtij raporti nuk u pranuan nga prindërit e të ndjerit.

Në tetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës pas kërkesës së familjes  ka ndarë mjetet financiare në shumën prej 50 mijë eurove për ekspertizë shtesë jashtë vendit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.