Rasti fajdet: Prokuroria kërkon që Kqirajt mos të gjykohen në Prizren

Sipas prokurorisë, edhe pse gati të gjithë dëshmitaret në shqyrtim gjyqësor i kanë ndryshuar deklaratat gjykata nuk e ka shqyrtuar fare faktin e ndryshimit të deklaratave të dëshmitarëve.

Kurse për veprën penale të detyrimit sipas prokurorisë të akuzuarit as nuk janë liruar as nuk janë shpallur fajtorë.

Gjykata Themelore e Prizrenit të akuzuarit kryesor të këtij rasti, Tunë Kqirajt i ka shqiptuar dënim me 2 vjet e 3 muaj burg, Kastriot Kqira është dënuar me 3 vjet burg, Gjon Kqira me 2 vjet e 6 muaj, Gjekson Kqira me 5 muaj, Gëzim Kqira me 5 muaj, Benson Buza me 2 vjet e 6 muaj, Besfort Omaj me 2 vjet e 5 muaj, Zyrafete Hukolli me 6 muaj, Ekrem Leci me 6 muaj, Hil Kaqinari me 6 muaj ndërsa dy të akuzuarit tjerë Ragip Fazlija dhe Sejfë Kaqorraj ishin liruar nga akuzat.

Ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit ankesë kanë paraqitur si prokurori ashtu edhe të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Në ankesën drejtuar Gjykatës së Apelit, prokuroria ka propozuar që kjo lëndë të kthehet në rigjykim por jo të njëjtës Gjykatë por rasti të gjykohet në një Gjykatë tjetër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Tunë Kqiraj, avokati Azem Vllasi ka deklaruar se ai e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm për faktin se i mbrojturi i tij është shpallur fajtor për veprën penale të organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit e që sipas avokatit i mbrojturi i tij mund ta ketë pasur këtë ves për të luajtur lojëra të tilla, por që ai asnjëherë nuk ka qenë organizator i këtyre lojërave.

Edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë që ishin të pranishëm në gjykatë, e kundërshtuan aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Kurse avokatja Kosovare Kelmendi e cila në këtë proces gjyqësor e mbron të akuzuarin Marian Kqira i cili është shpallur fajtor vetëm për veprën penale të armëmbajtjes, vepër të cilën e kishte pranuar, nuk ka paraqitur ankesë në aktgjykimin e kësaj gjykate por është përgjigjur në ankesën e prokurorisë.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci tha se mbetet në tërësi pranë ankesës së ushtruar me shkrim dhe njëherësh e përkrah propozimin e prokurorisë.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast ishin: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’ në maj të vitit të kaluar transmetoi të gjeturat e një hulumtimi për dëshmitarët e proceseve të fajdeve.