25-04-2024

Sindikata e Arsimit të shtunën në protestë

Sindikata e Arsimit ka njoftuar se të shtunën do të mbajë një protestë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Sipas SBASHK-ut, të punësuarit në sektorin e arsimit nga çerdhet e deri edhe në Universitete janë të zhgënjyer me veprimin e Qeverisë, e cila aprovoi Projektligjin për paga duke mos përfillur sa duhet kërkesat e vazhdueshme e të argumentuara të SBASHK-ut për pozitë meritore në këtë Projektligj të punëtorëve arsimor.

“Ky veprim i Qeverisë pikërisht në ditën kur filloi viti i ri shkollor ka bërë që punëtorët e arsimit të ndjehen të diskriminuar e të degraduar dhe prandaj kanë kërkuar nga organet udhëheqëse të SBASHK-ut që niset me veprime konkrete sindikale. Kështu duke dëgjuar zërin e anëtarësisë SBASHK-u organizon të shtunën me 8 shtator para ndërtesës së Qeverisë një protestë në të cilën marrin pjesë kryetarët e shoqatave sindikale të shkollave fillore, të mesme dhe njësive akademike të Universiteteve të Kosovës, anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarët e niveleve komunale dhe të Universiteteve dhe Kryesia, që përbëjnë numrin prej rreth 1000 pjesëmarrësish në këtë veprim sindikal”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u ka bërë publike edhe rrjedhën e protestës :

Autobusët me pjesëmarrës me kohë nisen nga çdo komunë dhe parkohen në parkingun te Pallati i Rinisë dhe Sporteve,

Ora 11 e 30 deri në orën 11 e 45 protestuesit bëhen bashkë te Sheshi “Zahir Pajaziti” ( te Hoteli “Grand”),

Ora 11 e 45 protestuesit në mënyrë të organizuar marshojnë nëpër Sheshin “Nëna Terezë” deri të ndërtesa e Qeverisë.

Ora 11 e 55 fjalë rasti dhe leximi i kërkesave,

Ora 12 e 30 përfundimi i protestës dhe shpërndarja e protestuesve./KosovaPress

Asnjë koment

Comments are closed.