24-04-2024

Rasti i fundit me COVID-19 në Prizren është zyrtar i Doganës së Kosovës

Drejtori për Shëndetësi në këtë komunë, Visar Shehu i ka thënë Express se sot janë marrë mostrat e katër zyrtarëve doganorë me të cilët ka pas kontakt i infektuari.

Ai ka treguar se nesër do të testohen edhe pesë zyrtarë të tjerë doganorë dhe familja e të infektuarit.

“Po, personi i fundit i infektuar është një zyrtar doganorë. Sot IKSHP’ja i ka marrë mostrat e katër zyrtarëve doganorë, derisa nesër pritet që të merren edhe mostrat e pesë zyrtarëve të tjerë dhe familjes së të infektuarit”, ka thënë Shehu për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar edhe 23 raste të reja me koronavirus, duke bërë kështu që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 250.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë me dije se rastet e konfirmuara janë raste kontakti nga Ferizaj, Vitia, Hani i Elezit, Prizreni dhe Prishtina.

IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 14 pacientëve të tjerë.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, tetëmbëdhjetë (18) raste nga komuna Ferizaj (8 Sazli, 3 qytet Ferizaj, 2 Mirash, 1 Varosh, 1 Greme, 1 Talinovc i Muhaxherëve, 1 Neredime dhe 1 Lloshkobare), 2 raste Viti, 1 rast Hani i Elezit, 1 rast Prizren dhe 1 rast Prishtinë. Sot më 10 prill 2020, janë të shëruar edhe katërmbëdhjetë (14) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e dy (52)”, thuhet në njoftim.

Sipas IKSHP’së, që nga data 8 shkurt e deri mbrëmë janë testuar 2 mijë e 876 mostra dhe se janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 4 mijë e 176 kontakte të rasteve.

 

Asnjë koment

Comments are closed.