23-04-2024

Rasti i fundit me COVID-19 në Prizren një infermiere, pritet të testohen 18 persona kontakte të saj

Prizreni është komuna e pestë me më së shumti raste me COVID-19 në Kosovë. Mbrëmë atje është konfirmuar edhe një rast i ri me koronavirus.

E infektuara është një 55-vjeçare, që punon si infermiere në Spitalin e Prizrenit. Gjendja e të infektuarës është e mirë, derisa sot pritet të testohen 18 personat që kanë pasur kontakt me të. Detaje rreth rasteve në këtë komunë ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Në një prononcim për Gazetën Express, Shehu ka treguar se dje janë testuar shtatë mostra nga Prizreni dhe se një prej tyre ka dal pozitive. Ai ka treguar se e infektuara është një 55-vjeçare, që punon si infermiere në Spitalin e Prizrenit.

Nga kjo komunë, sot do të testohen 18 persona që kanë qenë në kontakt me të infektuarën.

“Mbrëmë prej shtatë mostrave që janë testu, ka rezultuar pozitive një. E infektuara është infermiere në Spitalin e Prizrenit. Sot do të testohen 18 persona, të cilët kanë qenë në kontakt me infermieren”, ka treguar Shehu.

Shehu ka folur edhe për gjendjen e të infektuarve. Sipas tij, gjendja e të infektuarve është e mirë, me përjashtim të një pacientje e cila po trajtohet në Klinikën Infektive që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

“Deri tani i kemi 37 raste në total, dy janë shëruar dhe një ka vdekur. 22 persona janë në vetëizolim dhe katër janë në Klinikën Infektive të QKUK’së. Gjendja e të infektuarve është e mirë, përveç njërës që është në QKUK, e cila është në gjendje më të rëndë”, ka thënë Shehu për Express.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka njoftuar se janë konfirmuar 26 raste të reja me COVID-19 në Kosovë.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Kamenica, Istogu, Peja, Vitia, Ferizaj, Prizreni, Shtimja dhe Zveçani.

“Sot më 22 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 172 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej njëzet e gjashtë (26) raste”, ka njoftuar Instituti.

Me këto raste, numri i të infektuarve në gjithë vendin shkon në 630. Në mesin e tyre, 138 pacientë janë shëruar, ndërsa 18 kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Gazeta Express

Asnjë koment

Comments are closed.