Jo vetëm femrat prizrenase të angazhuara në politikë, por edhe përfaqësues të opozitës kanë reaguar, duke i dalë krah asambleistes së Vetëvendosjes në Prizren, Dafina Alishani, e cila përmes telefonatës është kërcënuar, pasi një ditë më parë kishte kërkuar llogari nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Rasti ka ndodhur pas emisionit “Jeta në Komunë” ku Haskuka ishte për të debatuar për qeverisjen e Prizrenit në tre vitet e fundit, ndërsa Alishani ka kërkuar sqarime nga kryetari rreth shfrytëzimit të pronave komunale nga gratë, dhe nëse monitorohet respektimi i planit të biznesit në bazë të të cilit plan janë mare në shfrytëzim pronat e Komunës.
Pas këtij publikimi në “facebook”, ka pasuar reagimi i femrave në përkrahje të Alishanit.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, ka deklaruar se ndonjëherë burrat lehtësisht po e marrin guximin që t’ju bëjnë presion e t’i kërcënojnë gratë të cilat merren me politikë. Ajo ka deklaruar se rasti i fundit është pikërisht në Komunën e Prizrenit, e cila, nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, po identifikohet vetëm me skandale dhe keqpërdorime të fondeve dhe të pronave publike.
“Tentimi për ushtrim të presionit ndaj asamblistes Dafina Alishani, është ushtrim i presionit ndaj një gruaje, ndaj transparencës dhe llogaridhënies. Si një grua, pa marrë parasysh dallimet partiake, qëndroj pranë Dafinës dhe angazhimit të saj të pakursyer për zbulimin e skandaleve dhe keqpërdorimeve në Komunën e Prizrenit”, ka deklaruar Balaj-Halimaj.
Ndaj kësaj ka reaguar edhe kolegia e Alishanit në Kuvendin e Prizrenit nga PDK, Sherife Balaj, që po ashtu ishte në emisionin në fjalë. Ngjashëm ka vepruar edhe kuvendarja nga AAK, Agnesa Sinanaj, përcjell Gazeta e Prizrenit.
“Kercenimet ndaj grave ne politike mbetet motivi dhe forca jone shtytese per te mos u ndal ne kauzat tona. Deshtet apo nuk deshtet, zeri jone do te jete ne vendimmarrje. Ne guxojme me kerku llogaridhenie dhe nuk trembemi nga askush. Ndaj rastit kërcënues te koleges asambleiste, prokuroria duhet te nise hetimet”, thuhet në reagimet e tyre.
Pos femrave, reagim ka pasur edhe nga kryetari i opozitës në Prizren, Shaqir Totaj (PDK). “Kërcënimi që u bëhet grave në politikë është veprim që gjithsesi duhet gjykuar nga të gjithë akterët e jetës publike”, ka deklaruar ai.
Pos tij reagime janë bërë edhe nga bashkëkuvendarët e Alishanit nga subjektet tjera opozitare.
Ndryshe, kuvendarja Dafina Alishani, dje ka shkruar se është kontaktuar përmes telefonit nga burri i “ndërmarrëses” e cila ka fituar një lokal-pronë komunale në shfrytëzim, në zonën ‘Shatërvan’ të Prizrenit, dhe i është thënë që të mos e ngrit këtë temë më për diskutim: “mos fol më për këtë temë”./GazetaePrizrenit,net/
Lexo edhe:
Kërcënohet asamblistja e VV-së pasi kritikoi kryetarin e Prizrenit, Haskuka