24-11-2024

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista”, Kurti sulmon opozitën nga Nju Jorku

Kryeministri Albin Kurti i cili po qëndron në Nju Jork në javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ka sulmuar regjimin e vjetër dhe mediat.

Në fjalimin e tij në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, Kurti thotë se regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike dhe shton se po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai sulmon edhe mediat duke thënë se regjimi i vjetër ‘duke shpërndarë para tek media të caktuara online po krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata’.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e ilegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, tha Kurti.

Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të tij:

I nderuar kryeministër, Pedro Sanchez,

Të nderuar miq, shokë e kolegë,

Dhjetorin e kaluar shënuam 75 vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ndërsa vitin e ardhshëm festojmë 80 vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Këmbëngulja në të drejtat e njeriut për dinjitet dhe paqe është e rëndësishme për shekullin tonë të 21-të, jo më pak se që ka qenë në shekullin 20-të.

Kam përshtypjen që pabarazia shoqërore, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë janë tri çështjet më të ndezura sot në botë. Autokratët nuk mund të zgjidhin asnjërën nga to. Në fakt, ata po i përkeqësojnë që të trija.

Vlerat tona socialiste e socialdemokrate – të rrënjosura në solidaritet, barazi dhe prosperitet – janë më relevante se kurrë.

Për tri vjet e gjysmë, kam pasur nderin që të shërbej si kryeministër i Republikës së Kosovës. Qeveria jonë ka pasur privilegjin dhe përgjegjësinë për kthimin e idealeve në program, projekte e veprim, të përpilimit të politikave për çrrënjosje të varfërisë, për efiçiencë dhe përballueshmëri të faturave të energjisë, rritje të mirëqenies së përgjithshme shoqërore, trefishim të subvencioneve për fermerë, edukim publik falas për të gjithë dhe një rritje prej 150% të listës së barnave esenciale. Në anën tjetër, nuk ka më grupe apo individë në Kosovë që mund të sfidojnë republikën tonë demokratike. Nuk kemi burime të brendshme destabilizuese apo që kërcënojnë sigurinë e që agjensitë tona të sigurisë nuk mund ta menaxhojnë apo kontrollojnë.

Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim.

Vendi im është një demokraci dhe një ekonomi në rritje. Si qeveri socialdemokrate, ne jemi veçanërisht të përkushtuar në fuqizimin e grave dhe të rinjve. Ne kemi prezantuar një sërë masash dhe kemi garantuar bursa, duke sjellë kështu përmirësim të theksuar në lidhjen e tregut të punës me edukimin profesional dhe rritjen e pavarësisë financiare.

Siç e dimë, shembuj të ndryshëm lokal e kombëtarë mund të inspirojnë njerëzit dhe qeveritë në një shkallë kontinetale e globale, sidoqoftë, kjo merr më shumë kohë sesa e kundërta, do të thotë ndikimi në nivel lokal e kombëtar nga krizat globale e kontinetale. Kjo e bën veprimin kolektiv përmes ‘’një pakti për të ardhmen’’ esencial dhe urgjent. Ne nuk mundemi e as nuk duhet të përpiqemi të ndryshojmë historinë dhe gjeografinë, por ne mund të mësojmë nga e kaluara e njëri-tjetrit dhe të ndajmë përvojat në të tashmen. Ne jemi ata që bëhemi, prandaj e ardhmja është tash.

Në vend se të fajësojmë emigrantët dhe pakicat, ne duhet të kritikojmë ideologjitë ekstreme, ato dogmatike dhe vendimet e vogla politike.

Për mua shokë, kjo do të thotë se socialistët dhe socialdemokratët duhet të fitojnë debatin mbi debatin, debatin që përgjithësisht mungon mbi debatet që duhet t’i kemi. Prandaj, krahas me debatin se në cilën luftë duhet të përfshihemi, ne duhet të kemi një luftë mbi vërtetësinë e debateve. Studentët, gratë, punëtorët dhe diaspora janë katër kategori shoqërore që besoj se duhet t’i prioritizojmë.

Në fund, më lejoni t’iu falenderoj për punën e madhe që bëni në vendet tuaja, regjionalisht e globalisht, dhe le të vëmë në zbatim sa më shumë solidaritet që është e mundur dhe le të fitojmë në mënyrën e vetme të mundshme: së bashku!

Faleminderit!

Asnjë koment

Comments are closed.