Rekomandohen emrat për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të OSHP-së, vlerësime të ndryshme mes komisionit vendor dhe projektit britanik
Kuvendit të Kosovës më në fund i janë rekomanduar emrat për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili bord është jofunksional prej 30 marsit 2021.
Pas përfundimit të procesit të intervistimit, anëtarët e komisionit vendorë dhe përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britaneze kanë selektuar kandidatët meritorë, duke i radhitur sipas poentimit, të cilat selektime, në fund kanë rezultuar se dallojnë shumë. Derisa për përfaqësuesit e projektit britanik, kandidatja më e suksesshme për anëtare të OSHP-së është vlerësuar Vjosa Gradinaj-Mexhuani, për anëtarët e komisionit vendorë kjo kandidate nuk është vlerësuar fare për tu rekomanduar për anëtare të OSHP-së. Vendorët për kryetar të OSHP-së e kanë vlerësuar më së shumti me pikë dhe e kanë rekomanduar kandidatin Ardian Behra, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Betimi për Drejtësi” ka monitoruar dhe raportuar sistematikisht tërë procesin e vlerësimit të të gjithë kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së. Anëtarët e komisionit për përzgjedhje të bordit të OSHP-së, në përbërje të gjykatësit Hajriz Hoti nga Gjykata Themelore në Prishtinë, gjykatëses Mejreme Memaj nga Gjykata Supreme si dhe gjykatësit Nenad Llaziq nga Gjykata e Apelit, kanë rekomanduar për kryetar të OSHP-së kandidatin Ardian Behra, ndërsa për anëtarë kanë rekomanduar kandidatët Hasim Krasniqi, Faruk Rexhaj, Adem Spahiu si dhe Ruzhdi Morinën.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e projektit të Ambasadës Britanike, Anne Montgomery dhe Gordon Rayan, kanë vlerësuar me pikë maksimale për anëtarë të OSHP-së kandidaten Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa për kryetar të OSHP-së poashtu njëjtë kanë rekomanduar kandidatin Ardian Behra. Ndërsa për anëtarë të tjerë të OSHP-së kanë rekomanduar kandidatët Ruzhdi Morina, Boban Petkovic, Faruk Rexha, Shqipe Hoti dhe Gazmend Gashin.
Ndryshe, për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe kryetarit të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë aplikuar 27 kandidatë, ndërsa procesit të intervistimit deri më tani iu kanë nënshtruar 20 kandidatë, 7 kandidatë për arsye të ndryshme janë tërhequr nga procesi.
Ndryshe, sipas paragrafit 2 të nenit 100 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, 90 ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së, Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të anëtarëve të OSHP-së.
Qeveria Hoti kishte shpallur konkurs për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së më 12 janar 2021, pasi që më 31 mars 2021 kryetarit dhe anëtarëve aktual do t’u skadonte mandati.
Mirëpo, pas ndryshimit të qeverisë, në maj të vitit 2021 Qeveria Kurti ka anuluar konkursin paraprak dhe ka hapur konkurs të ri për të cilin është duke u zhvilluar procedura e rekrutimit prej datës 11 tetor 2021.
Ndërkohë, të martën është zhvilluar dita e shtatë e procesit të përzgjedhjes së kryetarit dhe anëtarëve, në të cilën dy kandidatë i janë nënshtruar procesit të intervistimit, ndërsa sipas agjendës kanë qenë të planifikuar katër kandidatë. Kjo pasi që dy kandidatët e paraparë për intervistim për ditën e martë, Ardita Morina dhe Pranvera Maloku, janë tërhequr nga ky proces i intervistimit. Gjatë takimit të sotëm, fillimisht është bërë poentimi i kandidates së ditës së hënë, poentim i cili nuk ishte bërë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe më pas ka vazhduar procesi i intervistimit dhe poentimit të kandidatëve të mbetur si nga anëtarët e komisionit e ashtu edhe nga përfaqësuesit e projektit britanik. /BetimipërDrejtësi