27-07-2024

Rekomandohet suspendimi i tre zyrtarëve policorë nën dyshimin për shoqërim me të dyshuarin për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, nën dyshimin se bazuar në një video dyshohen se janë në shoqërim të të dyshuarit për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Përmes një komunikate për media, IPK ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare kanë filluar hetimet për tre zyrtarët policorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve sipas detyrës zyrtare ka filluar hetimet ndaj tre zyrtarëve policorë të cilët sipas publikimit të një video në media ku bazuar në këtë video dyshohet janë në shoqërim të personave me të kaluar kriminale (shoqërim me personin e dyshuar për nxitje të vrasjes së ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës Triumf Riza)”, thuhet në komunikatën e IPK-së.

Tutje, IPK ka njoftuar se lidhur me rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit si dhe veprimet tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së.

“Lidhur me rastin është informuar Prokuroria e Shtetit, ndërkaq në interes të zhvillimit të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së” thuhet tutje në komunikatën e IPK-së.

Ndryshe, Policia më 16 korrik njoftoi se është arrestuar Ilir Avdullahu, i cili ishte në kërkim policor për vite me radhë, nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK),Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 korrik ia kishte caktuar Avdullahut masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Kurse, në gusht ia kishte vazhduar masën edhe për dy muaj.

Themelorja, më 16 tetor 2023 ka marrë vendim, përmes të cilit të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e Triumf Rizës, Ilir Abdullahu, masën e paraburgimit ia zëvendësoi me atë të dorëzanisë, në vlerë prej 100 mijë euro.

lir Abdullahu dyshohet për veprën penale të “Vrasjes së rëndë” të policit Triumf Riza në bashkëkryerje me Enver Sekiraqën, Arben Berishën, Fitim Avdiun, Rrahim Abdullahun.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vijon procesi gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.