Rektori tregon pse Universiteti i Prizrenit nuk po bën grevë
Ismet Temaj, ushtrues detyre i rektorit të Universiteti të Prizrenit, pretendon se ky universitet mbetet i pandikuar nga politika.
”Unë tash e 6 vite nuk kam shkelur pragun e asnjë partie politike. Madje edhe kohë më parë kur kam qenë i angazhuar kam qenë në subjektin politik të LDK-së, e kjo është e ditur për të gjithë”, thotë Temaj në një prononcim për Kallxo.com në ditët kur janë shtuar akuzat për ndikim të politikës në punën e universitetit që ai e drejton përkohësisht.
Temaj u zgjodh si ushtrues detyre i rektorit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” në dhjetor të vitit të kaluar.
Ai për kallxo.com theksoi se do të kandidojë edhe për pozitën e Rektorit, atëherë kur Këshilli Drejtues i Universiteti ta shpallë konkursin për këtë pozitë.
Por ai thotë se nuk është në dijeni kur mund të shpallet ky konkurs.
“Nuk ka tensione rreth përzgjedhjes time si ushtrues detyre, pasi që kjo është krejt ligjore dhe e zgjedhjes ligjore, pasi që tash edhe rasti kontestues në gjykatë ka marrë fund”, tha ai në ditën kur u raportua se ish-rektori, Ramë Vataj ka humbur sfidën ligjore për pozitën e rektorit.
Ismet Temaj paraprakisht në maj të vitit 2018, nga Këshilli Drejtues i Universiteti të Prizrenit, ishte zgjedhur në pozitën e Rektorit, por për shkak të kontesteve gjyqësore që kanë dalë më pas, i njëjti konkurs ishte anuluar në dhjetor të 2018.
Ndërsa për arsyet se pse nuk është ftuar në konferencën e organizuar nga 6 rektorët e Universiteteve tjera, të cilat kërkojnë shkarkimin e Ministrit e Arsimit Shyqriti Bytyqi, trektori i përkohshëm sqaroi se “ata e dijnë pse nuk më kanë ftuar mua në atë konferencë”.
“Unë nuk jam distancuar, por ka qenë vendim i tyre për mos ftesë”, tha Temaj.
”E konsideroi të paarsyeshme kërkesën e tyre për shkarkimin e Ministrit, sepse ne jemi universitete që kemi synimet tona. Duhet të merremi me çështje që i takojnë universiteteve e jo çështje politike duke kërkuar shkarkimin e ministrit apo çështje tjera politike”, tha Temaj.
Rektorët e 6 universiteteve publike të Kosovës kishin njoftuar më 28 janar se nga 29 janari, të gjitha universitetet do të jenë në grevë të përgjithshme. Por, për Ismet Temajn, kjo grevë është e paarsyeshme.
“Qysh po thojnë krejt universitetet kur Universiteti i Prizrenit nuk është në grevë. Janë sindikata e punëtorëve, mirëpo kjo nuk lidhet aspak me Universitetin si institucion, e nëse ata po thirren në mbrojtjen e autonomisë të universiteteve nga politika, atëherë pse po kërkojnë takime me udhëheqës politikë”, thotë Temaj.
Universitetit të Prizrenit i është tërhequr akreditimi për 4 programe, prej të cilave dy në Fakultetin e Edukimit dhe dy tjera në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, të cilat kanë pasur akreditimin deri më 2020 dhe 2021.
Ndërsa nuk i është dhënë edhe akreditimi në 4 programe tjera që kanë qenë në procedurë të akreditimit, e që janë Programet të Gjuhës Turko-Boshnjake.
“Unë nuk po shoh arsye për akuzat që po drejtohen ndaj meje, kinse i lidhur politikisht dhe i afërm me Ministrin Bytyqi pasi që me të nuk kam asnjë afrimitetit politik, pos raporteve profesionale. E nëse tjerët akuzat i drejtojnë drejt Këshillit Drejtues, atëherë nuk po e kuptoj pse po ndërlidhet emri im, qoftë nga studentët qoftë nga kushdo tjetër”, thotë Temaj.
Universitetin e Prizrenit në vazhdimësi e kanë përcjellur problemet që nga maji i vitit 2018. aStudentët kishin organizuar edhe protesta kundër formës së zgjedhjes së Ismet Temajt si ushtrues detyre i rektorit.