28-11-2024

Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve, PZAP njofton se partitë politike mund të parashtrojnë ankesë

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, ka njoftuar se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare për raundin e parë të zgjedhjeve lokale, subjektet politike dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesë.

PZAP njofton se afati për ankesa është 24 orë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ne ora 10:00 ka shpallur Rezultatet e Zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave për zgjedhjet Lokale te mbajtura me 17 Tetor 2021. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, njofton të gjitha palët që kanë interes juridik dhe publikun e gjerë se kundër këtyre rezultateve mund të parashtrojnë ankesë/apel në PZAP brenda afatit prej 24 orëve nga momenti i publikimit të rezultateve nga KQZ-ja”, thuhet në njoftim.

PZAP sqaron se, ankesa mund të bëhen vetëm kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave e jo edhe kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për anëtar të Kuvendeve Komunale, pasi që ato nuk janë shpallur ende nga KQZ.

“Ankesat/apelet mund të adresohen në PZAP vetëm kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave e jo edhe kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për anëtar të Kuvendeve Komunale, pasi që ato nuk janë shpallur ende nga KQZ-ja, që i bie se të gjitha Kandidatet për anëtar të Kuvendeve Komunale mund të parashtrojnë ankesë/apel në PZAP, pas shpalljes së rezultateve të Kandidateve për anëtar të Kuvendeve Komunale nga KQZ-ja”.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të cilat janë mbajtur më 17 tetor.

Nga 38 komuna, 17 kandidatë kanë fituar mandatin që në raundin e parë të zgjedhjeve, kurse në 21 komuna do të zhvillohet ballotazh më 14 nëntor.

Asnjë koment

Comments are closed.