Rigjykimi për korrupsion, ish-drejtori i Arsimit në Prizren refuzon të përgjigjet në shumicën e pyetjeve të prokurorit
Çoçaj, Thaqi e Çeku akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë realizimit të manifestimit tradicional “Remzi Ademaj”, në Prizren, e cili rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Në seancën e rigjykimit, të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Çoçaj është marr në pyetje nga prokurori Sefa, por me arsyetimin se për shumicën e çështjeve ka dhënë përgjigje në shqyrtimet e kaluara, ish-drejtori i Arsimit, ka refuzuar të përgjigjet në shumicën e pyetjeve.
Çoçaj ka refuzuar të përgjigjet edhe në pyetjen se gjatë manifestimit “Java e Remzi Ademaj”, si janë bërë pagesat për furnitorët me para kesh apo me anë të transfereve bankare.
Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Çoçaj, avokati Bashkim Nevzati, lidhur me këtë pyetje, si edhe për shumë pyetje të tjera, ka deklaruar se i mbrojturi i tij nuk do të përgjigjet.
“Gjerë më tani me ekspertizat përkatëse është vërtetuar se çfarë transaksione kanë qenë gjatë të gjitha viteve të përfshira në aktakuzë dhe në momentin e bartjes së mjeteve në llogarinë e organizatorit ato çështje janë brenda për brenda organizimit”, ka thënë avokati Nevzati, duke shtuar se i mbrojturi i tij, nuk do të përgjigjet në pyetje të tilla, pasi që sipas tij, ai ka dhënë sqarime të duhura në seancat e kaluara.
Kurse, i akuzuari Çoçaj, është përgjigjur në pyetjen se për vjet ka qenë kryetar i këshillit organizativ të manifestimit “Remzi Ademaj”.
“Edhe pse jam përgjigj në këtë pyetje disa herë, deklaroj se kryetar i këshillit organizativ kam qenë tetë vite nga themelimi i këtij manifestimi në 2001 deri në 2009, pasi që jam edhe themelues i këtij manifestimi. Ndërkaq aktivitetin e kam vazhduar duke u ndihmuar edhe më pas”, ka thënë i akuzuari, Çoçaj.
Ai ka thënë se ky manifestim është mbikëqyrur nga kryetari i komunës, duke shtuar se shuma e destinuar për këtë manifestim gjatë vitit 2009, ka qenë 10 mijë euro.
Lidhur me këtë edhe dy të akuzuarit tjerë Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku, në pyetjet e prokurorit rreth rastit, janë shprehur se nuk do të shtojnë diçka tjetër, përpos asaj se çfarë kanë deklaruar më herët në deklarimet e tyre.
Në seancën e së hënës, gjithashtu janë konsideruar si të lexuara provat materiale të këtij rasti, duke filluar nga deklaratat e dëshmitarëve dhënë në shqyrtimet paraprake, po ashtu janë konsideruar si të lexuara edhe ekspertiza financiare e ekspertit Agim Kastrati, si dhe ajo e ekspertit financiar, Riza Blakaj, për të cilën prokurori i rastit Mehdi Sefa, ka paraqitur vërejtje.
“Konsiderojmë se ekspertiza e ekspertit Riza Blakaj, është kryer pa ndonjë urdhëresë të gjykatës, ku si provë nuk është administruar gjatë shqyrtimit të mëhershëm. Kështu që ne si prokurori nuk kemi mundur në atë kohë të ballafaqojmë këtë ekspert me pyetjet tona. Kjo ekspertizë ka shkuar vetëm jashtë shqyrtimit kryesor me ankesë dhe ashtu e ka pranuar Gjykata e Apelit”, ka thënë prokurori Sefa.
Gjykimi në këtë rast do të vazhdojë më 2 nëntor në ora 9:30, ku është e paraparë të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.
Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vite burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim efektiv, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.
Mirëpo, më 27 shtator 2016, Apeli, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet. /Betimi Për Drejtësi/