Rigjykimi për vrasjen e Skender Limajt drejt fundit

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren janë dhënë fjalët përfundimtare  ndaj Emin Krasniqit, Astrit Krasniqit, Durim Krasniqit dhe Hazir Krasniqit , të cilit po akuzohen për vrasjen e Skender Limajt në vitin 2011.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Enver Krasniqi, deklaroi se qëndron pranë aktakuzës, duke potencuar se vrasja është kryer për shkak të motivit të hakmarrjes së paskrupullt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Krasniqi deklaroi se nga provat e administruara në këtë proces gjyqësor, është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës, andaj i kërkoi trupit gjykues që të shpallë aktgjykim dënues dhe të akuzuarit të dënohen në bazë të ligjit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Emin Krasniqi, avokati Florin Vërtopi deklaroi se nuk kanë të bëjmë më pretendimet e prokurorit për hakmarrje të paskrupullt, sepse klienti i tij, në restaurantin kështjella kishte shkuar pa ndonjë armë, por me duar në xhepa.

Tutje Vërtopi deklaroi se ekspertizat kanë pasur kontradikta njëra me tjetrën, andaj trupi gjykues duhet të ketë kujdes se cilave prova duhet të iu falë besimin.

Në fund avokati Vërtopi kërkoi nga trupi gjykues që të shpallë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Durim Krasniqi, avokati Shemsedin Piraj deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën e avokatit parafolës, pasi që fjalën përfundimtare e kanë përgatitur bashkërisht, të cilën edhe ia kanë dërguar në formë të shkruar trupit gjykues.

Për shkak të obligimeve në seanca tjera gjyqësore dhe faktin që ishte kujdestare e ditës, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi palët se seanca e sotme do të ndërpritet dhe fjalët përfundimtare të palëve tjera mbrojtëse do të jepen në seancën e cila do të mbahet nesër nga ora 09:00.

Ndryshe, në qershorin e vitit 2011, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Emin, Durim, Berat, Astrit dhe Hazir Krasniqi,  me arsyetimin se me datën 01.01.2011 rreth orës 19:40, kanë shkuar në restorantin “Kështjella” në të cilën kanë shkëmbyer të shtëna me familjen Limaj, duke plagosur Azem e Ilir Limajn dhe duke vrarë Skender Limajn. Me këto veprime, sipas prokurorisë, ata kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, “shkaktim i lëndimeve të rënda trupore” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më 21 mars 2012 kishte nisur gjykimi i të pandehurve në Gjykatën e Qarkut në Prizren ndërsa me 23 gusht 2013 një panel i përzier prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një vendor, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit me një dënim në total prej 35 vitesh burgim. Mirëpo, më 24 tetor 2013, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer në rivendosje. Pas disa muajsh, më 6 shkurt 2014 kishte filluar ri-gjykimi me panel përsëri të përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një gjyqtari vendor./BetimipërDrejtësi