18-04-2024

Rigjykimi për vrasjen e trefishtë në Prizren drejt fundit

Të akuzuarit për vrasje të rëndë, Eshref dhe Ejup Shemallari, në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, thanë se do të mbrohen në heshtje ndaj akuzave me të cilat ngarkohen.

Eshref Shemallari akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa Ejup Shemallari akuzohet se i ka ndihmuar babait të tij në kryerjen e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky i fundit akuzohej edhe për bashkëkryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtje pa leje, mirëpo për to kishte hequr dorë nga ndjekja penale Prokuroria Themelore në Prizren, më 29 shtator 2017.

Në seancën e së enjtes, në këtë rast që po zhvillohet në rigjykim, kanë prezantuar edhe ekspertët nga Agjencioni i Forenzikës, Lutfi Raci, dhe Fesal Lutfi, për të cilët mbrojtja e të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi kërkoi sqarime shtesë lidhur me të shtënat në vendin e ngjarjes.

Në deklarimet e tij, eksperti Raci tha se këto të shtënat në ditën kritike kanë qenë të rregullta, e jo të pakontrolluara.

“Ne i kemi analizuar shkresat e lëndës, ku përveç viktimave, kanë qenë të dëmtuara edhe objekte dhe vetura. Ne kemi gjetur se të shtënat kanë qenë nga dy pozita të ndryshme dhe këto të shtëna kanë qenë të rregullta, pra kanë pasur për objekt cakun”, ka thënë eksperti i forenzikës, Lutfi Raci.

Ai tha se gjuajtjet kanë qenë të orientuara drejt viktimave, përkatësisht veturave dhe objekteve, pasi që sipas tij, edhe viktimat edhe objektet kanë qenë në një pozitë.

Pas dëgjimit të ekspertit, të akuzuarit Shemallari deklaruan se do të mbrohen në heshtje, dhe siç thanë ata, qëndrojnë në tërësi pranë deklarimeve të dhëna më parë.

Pas kësaj, prokurori Genc Nixha ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance, pasi që sipas tij, të njëjtit i duhet kohë për të përgatitur fjalën përfundimtare.

“ Kërkoj që kjo seancë të shtyhet për një afat çështje ditësh, pasi që sot unë kam pritur që i akuzuari Ejup Shemallari të deklarohet në mbrojtjen e tij, por ajo është e drejtë e tij, dhe mua më duhet pak kohë në këtë drejtim, për përgatitjen e fjalës përfundimtare”, tha prokurori Nixha.

Kërkesën e prokurorit Nixha e ka aprovuar gjykatësi Xheladin Osmani, i cili seancën e radhës, në të cilën do të vazhdohet me fjalën përfundimtare të palëve, e caktoi më 29 mars 2019, prej orës 10:00.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren, më 2 tetor 2017, Eshref Shemallarin e kishte gjetur fajtor dhe e ka dënuar me 23 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe dy vjet për armëmbajtje pa leje, ndërsa si dënim unik ia ka shqiptuar 24 vjet burgim.

Ndërsa, djali i tij, Ejup Shemallari, ishte dënuar me katër vjet e gjysmë për ndihmën e dhënë babait pas kryerjes së veprës penale.

Mirëpo, për këtë vendim, Gjykata e shkallës së dytë, kishte gjetur vërejtje, dhe si të tillë, më 6 mars 2018, ka marr vendim që rasti përkatës të kthehet në rivendosje.

Ndryshe, ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, ngritur më 29 janar 2016, e cila në fillim i ngarkonte të akuzuarit Eshref dhe Ejup Shemallarin se në vitin 2015, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa tani, të akuzuarin Ejup e ngarkon vetëm se i ka ndihmuar babait të tij, në kryerjen e veprës penale.

Sipas organit të akuzës, Eshref Shemallari, pas një historie të gjatë konflikti, në mars 2015, kishte qëlluar për vdekje, me armë gjysmë-automatike dhe pistoletë, viktimat Shishko, Thaqi dhe Ersoji.

Ndërsa Ejup Shemallari akuzohet se i ka ndihmuar babait të tij, Eshrefit, për të kryer krimin, duke e vozitur automjetin në bagazhin e të cilit gjendej automatiku dhe se pas kryerjes së krimit e ka larguar babain e tij në drejtim të panjohur.

Të akuzuarit në fjalë, pas rastit të atentatit në viktimat, për disa ditë, kanë qenë të arratisur e më pas janë dorëzuar veç e veç në polici, fillimisht i akuzuari Esheref, ndërsa pas dy dite edhe i akuzuari Ejup. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.