27-04-2024

Rikthimi i zërit shqip në Radio-Prizren, më 1999

U mbushën 19 vjet nga rikthimi zërit shqip në Radio-Prizren, institucionin e vetëm informativ lokal të para luftës, në rajonin e Prizrenit, shkruan ‘gazetaeprizrenit.net’.

Largimi i shqiptarëve, pas aplikimit të masave të dhunshme nga regjimi serb i Milosheviqit, që nisi fillimisht me mbylljen e Radio-Televizionit të Prishtinës (RTP) dhe ndalimin e gazetës së përditshme “Rilindja” u reflektua edhe me mbylljen e radiove lokale për shqiptarët.

Pas largimit të redaksisë shqipe, ish-drejtori i atëhershëm pjesëtari i komunitetit turk, Mehdiylki Cibo nuk pranoi ta udhëheq këtë institucion informativ pa redaksinë shqipe dhe u largua.

E tërë kjo me qëllim të lënies në terr informativ të popullatës shumicë. Kjo gjendje zgjati deri në çlirimin e Prizrenit, në qershor të vitit 1999, kur radio kishte heshtur për shqiptarët.

Me krijimin e situatës së re, punëtorët e larguar u rikthyen në vendet e tyre të punës.

Vahit Kabashi,  ish-redaktor, kujton se me Haki Krasniqin  (tashmë të ndjerë) kishin biseduar me kryetarin e komunës,  Kadri Kryeziun, me të cilin ishin pajtuar  për nevojën urgjente të rifillimit të transmetimit të radios, prandaj ishte vendosur që paraprakisht të bëhej një kontroll nga mjetet eksplozive, si dhe mundësia e aktivizimit të pajisjeve ekzistuese teknike.

“Me teknikun, Zyhdi Xhini ( i ndjerë) dhe Hakiun konstatuam se çdo pajisje mund të aktivizohej menjëherë. Natyrisht, fondi i muzikës shqipe ishte i mangët dhe duhej siguruar muzikë. Për fondin e fonotekës së Radios, Hakiu siguroi një numër të këngëve popullore, zbavitëse dhe patriotike, ndërsa një pjesë të muzikës e siguruam nga Radio-Kukësi”, thotë ai.

Kabashi kujton se menjëherë janë ftuar të gjithë të punësuarit e dikurshëm të Radios, por shumica e tyre ende nuk ishin kthyer në Kosovë.  “Shumë shpejtë e përpiluam një skemë programore të përkohshme, për një program disa orësh. Siguruam po ashtu lidhjet telefonike përmes PTT-së”, kujtoi ai për ‘gazetaeprizrenit.net’.

Falë transmetuesit të valëve të mesme, zëri i Radio-Prizrenit,  dëgjohej deri në Mitrovicë. Këtë e dëshmonin thirrjet telefonike nga të gjitha anët e Kosovës, të cilët uronin për rifillimin e punës.

Radio Prizreni ka pasur mbështetje të pa rezervë nga udhëheqja e Komunës, e cila siguroi disa pajisje teknike dhe ofroi ndihmë materiale për kompletimin e nevojave emergjente të Radios.

Kryetari Kadri Kryeziu së bashku me bashkëpunëtorët: Masar Shala e Bashkim Gashi, në një takim në Radio-Prizren,  i dëgjoi kërkesat dhe nevojat e gazetarëve,  ndërsa informoi ata me vendimin për emërimin e drejtorit të ri, Bashkim Sylejmanit, ish- gazetar.

Të njëjtën ditë nisi edhe transmetimi i parë shqip në eter, pas heshtjes 9 vjeçare. Fillimisht duke transmetuar himnin kombëtar dhe më pas një intervistë të drejtpërdrejtë me kryetarin. Me këtë rast, Kryeziu kishte përgëzuar qytetarët për përjetimin e kësaj dite dhe kishte porositur ata të kontribuojnë në rindërtimin e vendit, që kishte pësuar humbje në njerëz dhe shkatërrime materiale.

Lajmet e para merreshin nga Shtabet e UÇK-së, pastaj nga udhëheqja komunale dhe gazetarët e bashkëpunëtorët në terren.

Ish-drejtori, Bashkim Sylejmani kujton se emisionet kryesisht ishin të drejtpërdrejta, ndërsa përmes dy lidhjeve telefonike në studio zhvilloheshin biseda me dëgjuesit, sidomos me refugjatët e sapokthyer nga vende të ndryshme. “Më vonë kaluam edhe në programin 12 orësh”, thotë ai.

Në një mënyrë Radio-Prizreni ishte shndërruar në një qendër informacioni për gazetarët ndërkombëtarë dhe ata të qyteteve të tjera.

Përmes valëve të radios më pas folën edhe pjesëtarët e KFOR-it dhe të UNMIK-ut që kishin termin të rezervuar kohor.

Më pas në radio u formuan edhe redaksitë në gjuhën turke dhe boshnjake.

(Fotoja në ballinë, Zyhdi Xhini në pultin e transmetimit të Radio-Prizrenit). /gazetaeprizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.