13-12-2024

Rinia e PDK-së shpalos “dështimet” e qeverisjes komunale të Prizrenit, kërkon dorëheqjen e Haskukës (foto)

Të rinjtë e PDK-së në Prizren, të shoqëruar nga kuvendarë e zyrtarë të këtij subjekti politik, sot kanë realizuar një aksion simbolik, duke akuzuar pushtetin lokal për keqqeverisje, degradim të vlerave kulturo-sportive e shumëçka tjetër, madje, është kërkuar edhe dorëheqja e kryetarit, Haskuka.

Në aktivitetin e Rinisë Demokratike, lidhur me gjendjen në Prizren, ishte i pranishëm kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ndërsa për lëshimet e rënda në këtë komunë foli Ardit Krasniqi, kryetar i degës së RD në Prizren dhe të rinj të kësaj organizate rinore politike.

Fotografia e Rinia Demokratike e Kosovës- RDK

Bislimi, theksoi se qyteti emblematik Prizreni, ka dy vite që është katandisur nga aferat, korrupsioni dhe premtimet e pa mbajtura, duke u zotuar se ashtu si lideri Kadri Veseli, edhe Rinia Demokratike dhe të gjithë qytetarët, qëndrojnë fuqishëm kundër krimit të organizuar.

Ai po ashtu, theksoi se rinia nuk do të ndalet ta denoncojë patriotizmin e rrejshëm të shfaqur në Kuvend, angazhimin për drejtësi si dhe përkrahjen e themelimit të Gjyqit ndërkombëtar kundër gjenocidit serb në Kosovë.

Skandali i parë i evidentuar sot, ishte shpallja fituese e tenderit për pastrimin e qytetit për një kompani nga Podujeva, ku në aplikimin e saj për këtë tender, kompania ka aplikuar me librezat e makinave në gjuhen serbe që bie në kundërshtim me sloganin e bashkimit. Me të drejtë shtrohet pyetja, me cilin shtet rekomandon Vetëvendosja bashkim, potencoi kryetar i RD-së në Prizren, Ardit Krasniqi.

Fotografia e Rinia Demokratike e Kosovës- RDK

Fotografia e Rinia Demokratike e Kosovës- RDK

“Punësimet e militantëve dhe familjarëve të partisë në pushtetin lokal, premtim që ishte proklamuar se do ta luftojnë nepotizmin, ndërsa sot, dukuri themelore është nepotizmi në komunën e Prizrenit. Dështim tjetër i rëndë është largimi i një profesionisti në arsim dhe zëvendësimi i tij me një refer futbolli. Premtimi i bërë për shujta për nxënës nëpër shkolla, është i pa realizuar”, theksoi ai.

Po ashtu, janë evidentuar dështimet në kulturë si mos mbajta e festivaleve tradicionale si “Zambaku i Prizrenit” dhe “Fluturat”, si dhe në sport, ku rezultoi me rënien e KF “Liria” nga liga, dhe kriza në KB “Bashkimi”, këto janë disa nga dështimet e kësaj qeverisjeje, potencoi Adri Krasniqi, i cili kërkoi dorëheqjen e kryetarit aktual Mytaher Haskukës, për paaftësi në qeverisje./GazetaePrizrenit.net

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.