Komuna e Prizrenit ka filluar riparimin e kalldrëmit të dëmtuar, në njërën nga urat kryesore mbi Lumbardh, në urën e Urën e Arastës (pas lufte njihet edhe si Ura e KFOR-it) që ndodhet në pjesën kryesore të qytetit.
Zyrtarët komunal kanë thënë se zona e parë, në qendrën historike të Prizrenit, është ajo që ka më së shumti qarkullim të qytetarëve dhe në veçanti të vizitorëve të huaj.
Kryetari i Komunës Mytaher Haskuka, para dy ditësh, ka shkruar se kjo zonë ka nevojë për përkujdesje të veçantë dhe të vazhdueshme, që t’i shmanget degradimit aktual që ka, prandaj edhe komuna ka ndërhyrë në disa pjesë të saj, për ta përmirësuar gjendjen ekzistuese.
Ndryshe, Qendra rajonale për trashëgimi kulturore në Prizren (QRTK) ka reaguar për punët të cilat po kryhen në Urën e Arastës, për siç është thënë pa lejen e institucioneve përgjegjëse të trashëgimisë kulturore në Prizren.
Në këtë kontekst po edhe në rrugën “Pushkatarët” janë mbjellë fidanë të rinj për ta shtuar gjelbërimin në këtë zonë.
“Qendrës historike të Prizrenit dalëngadalë po i kthehet imazhi që e meriton dhe për këtë do të ketë trajtim të vazhdueshëm”, ka deklaruar Haskuka.
Ndërkohë, që këto projekte janë në realizim e sipër, një intervenim të ngjashëm, siç pat shkruar para një muaji “gazetaeprizrenit.net” e kërkon edhe Ura e Kaltër, që njihet si Ura e dashurisë, në të cilën kanë pësuar dëmtime disa pllaka të shtresës së sipërme.
Kjo urë, që po ashtu ndodhet afër ‘shatërvanit’ përbën edhe një atraksion për të rinjtë, që dashurinë e tyre, në shenjë simbolike pas kurorëzimit ta “mbyllin në dry” të shoqëruar edhe me foto nga ky vend, që për disa është përjetësuar në një kujtim të paharruar./gazetaeprizrenit.net/