26-04-2024

Rrënimi i terrasës në lokalin e familjes së Bujar Hasanit, flet Komuna e Prizrenit

“Objekti në fjalë është ndërtim pa leje, për sa i përket pretendimeve të pronarit që prona nuk është publike, atëherë si është e mundur që i njëjti paguan taksa për sezonën verore për shfrytëzim të hapësirës, e i referohet si pronë private”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.

Ai ka sqaruar se Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit ju ka dërguar njoftimet të gjithë pronarëve të lokaleve që t`i largojnë vullnetarisht terrasat që janë ngritur në hapësirat publike.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

“Ju kemi dërguar njoftim të gjitha lokaleve që ti largojnë këto objekte pa leje në qendrën historike. Kanë pasur afat që deri me datë 8 janar ti largojnë vullnetarisht, ndërsa tash kemi ndërmarrë aksion inspektorati për largimin e objekteve ne fjalë. Pra kemi të bëjmë me konstruksion të metalit, i përkohshëm por që është objekt pa leje”, ka thënë ai.

Sipas drejtorit Thaçi, largimi i objektit nuk ka të bëjë asgjë me atë që Bujar Hasani ka qenë ish drejtor, por ka rastisur që aksioni të fillojë nga rruga ‘Adem Jashari’ e të vazhdoj tutje nëpër hapësira tjera të qytetit.

“Ky është një aksion i Komunës që do të vazhdojë edhe ndaj 24 bizneseve tjera që kanë bërë ndërtime të tilla pa leje, dhe kanë prishur konstruktin e qendrës historike. Rrënimi i objektit pa leje është çështje administrative e Komunës, nuk ka të bëjë me rastin që është zhvilluar në Gjykatën Themlore- Prizren, sepse i njëjti është gjykuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare sa ka qenë drejtor”, ka thënë ai.

Sipas tij, aksioni do të vazhdojë edhe në qendrën e qytetit në ‘Shatërvan’ ndaj të gjitha ndërtimeve të ngjashme dhe tutje në sheshin e “Lidhjes së Prizrenit”.

Ish-drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, tha për KALLXO.com se vendimi i komunës për t`ia rrënuar terrasat e lokalit të familjes së tij është marrë nga inspektori Enver Bytyqi, i cili sipas tij kishte qenë i bashkakuzuar për të njëjtën terrasë. I njëjti sipas Hasanit kishte deklaruar në gjykatë se terrasa ishte e ndërtuar sipas ligjit.

“Inspektorati ka marrë vendim për largimin e kësaj hapësire. I njëjti inspektor që ka qenë i bashkakuzuar me mua. Enver Bytyqi, i cili gjatë gjykimit kishte deklaruar që ky ndërtim është në përputhje me ligjet në fuqi, dhe se prona ku është ngritur objekti nuk është pronë publike, e tash ka marrë vendim për rrënim”, ka thënë Hasani.

“Unë kam bërë padi në Gjykatën për çështje administrative, sepse e kam të drejtën e ankesës ndaj vendimit për rrënim, por inspektorati nuk ka pritur një vendim të gjykatës, kanë vepruar një-anshëm dhe me nguti. Unë do t`i ndjekë rrugët ligjore për këtë çështje”, ka thënë Hasani për KALLXO.com.

Asnjë koment

Comments are closed.