Rreth 200 mijë euro s’mjaftuan për kompleksin memorial në Korishë të Prizrenit, akuza për keqpërdorim

Për punimet në këtë kompleks, janë ndarë rreth 200 mijë euro nga buxheti i komunës së Prizrenit, brenda një periudhe 5-vjeçare, raporton KTV.

Në kohën e qeverisjes së kaluar, në vitin 2011, ishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej mbi 145 mijë eurove nga drejtoria e Kulturës në këtë komunë.

Kurse, edhe gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, u nënshkrua një kontratë e re në vlerë të 47 mijë eurove, por këtë herë nga drejtoria e Administratës.

Kryetari i fshatit Korishë ka thënë se kryetari i komunës u ka premtuar atyre që do ta përfundojë këtë memorial, por që ende nuk është bërë asgjë.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, kishte akuzuar javë më parë qeverinë e kaluar për keqpërdorim të parasë publike në projektin e këtij memoriali.

Në komunën e Prizrenit kanë thënë se kanë pasur probleme pronësore, andaj edhe nuk kanë mundur të punojnë aty.

E, për akuzat që i ka drejtuar Haskuka kundër qeverisë së kaluar, ish-drejtori i Administratës në Prizren ka thënë se kryetari po mundohet që t’i mbulojë dështimet e tij.

Gjysma e punimeve në kompleksin memorial në Korishë janë financuar nga vetë banorët.

Në këtë kompleks janë të varrosur 88 martirë.