15-04-2024

Rreth 300 kërkesa të kosovarëve për azil në vendet e BE-së

Shtetasit shqiptarë vijojnë të kryesojnë në raport me shtetasit e tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor për numrin e lartë të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas raportit më të fundit të Agjencisë Evropiane për Azilin, publikuar të premten, shqiptarët paraqitën vetëm gjatë muajit nëntor të vitit 2023 rreth 892 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Evropian.

Shqiptarët pasohen nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut, me 711 aplikime, shtetasit nga Serbia që kishin paraqitur 507 kërkesa, nga Kosova me 281 kërkesa, nga Bosnja me 127 kërkesa dhe nga Mali i Zi me 30 kërkesa për azil.

Sipas raportit prirja e të gjithë shtetasve nga Ballkani është të kërkojnë azil në tre vende të Bashkimit Evropian: Francë, Gjermani dhe Itali. Shqiptarët kanë edhe numrin më të lartë të kërkesave për azil që mbeten në pritje në vendet e e Bashkimit Evropian për t’u shqyrtuar.

Kështu sipas të dhënave të Agjencisë evropiane për Azilin, 3278 shtetas shqiptarë janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil, ndërkohë që nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut janë 2146 kërkesa, nga Serbia janë 1250 kërkesa, nga Kosova 966 kërkesa, nga Bosnjë Hercegovina 540 dhe Mali i Zi janë 118 kërkesa.

Të gjitha kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit Perëndimor të shqyrtuara në vendet e Bashkimit Evropian kanë një nivel tejet të ulët të pranimit.

Kështu, sipas raportit, shqiptarët kanë vetëm 0,55 % të kërkesave të shqyrtuara që janë pranuar ndërsa asnjë nga vendet ballkanike nuk e kalon 1% të kërkesave të pranuara për azil. Agjencia evropiane për Azilin tha se në nëntor vendet e Bashkimit Evropian morën 118 mijë kërkesa për azil.

Ndërsa për periudhën nga janari deri në nëntor të vitit 2023 aplikime për azil në vendet e Bashkimit Europian shkuan në mbi 1 milionë, një nivel që kujton sipas Agjencisë europiane për Azilin krizën e refugjatëve të viteve 2015-2016.

Në nëntor të vitit 2023 Gjermania ruajti pozicionin e saj si destinacioni kryesor për azilkërkuesit në vendet e Bashkimit Evropian, duke marrë gati një të tretën e gjithë kërkesave për azil që u paraqitën në vendet e Bashkimit Evropian./VOA

Asnjë koment

Comments are closed.