Rrezikuan të mbyten me pedalon, shpëtohen tre të mitur në Durrës
Megjithë ngjarjet e rënda të këtyre ditëve, pushuesit vazhdojnë të rrezikojnë. Veëanërisht fëmijët dhe të rinjtë.
Tre adoleshentë janë shpëtuar ditën e sotme në Durrës pasi ishin bllokuar në det me pedalon. Mësohet se në vendin e quajtur “Adriatik 1″, tre 15-vjeçarët kishin marrë një pedalon dhe pasi ishin larguar në thellësi, nuk po ktheheshin dot në breg të detit.
Policia kufitare konfirmon se rreth orës 17:05, është marrë njoftim se në det të hapur, në vendin e quajtur “Adriatik 1”, Durrës, kishin mbetur 3 persona që ishin futur në det me një pedalon, me të cilin nuk po ktheheshin dot në breg. Menjëherë në ndihmë të tyre, janë nisur shërbimet me mjetin lundrues të Policisë Kufitare Durrës, të cilët kanë konstatuar se larg bregut, në det të hapur, ishte një mjet lundrues pedalon, me 3 persona në të, që ishte bllokuar në det dhe nuk lëvizte pasi iu kishte bllokuar timoni.
Shërbimet e Policisë Kufitare Durrës kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare, 3 pushuesit, të moshës 15 vjeç, të tre banues në Tiranë, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore.