15-04-2024

Rritet me mbi 10% numri i të prekurve me kancer në krahasim me vitin e kaluar

Treqindenjëzet raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë, ka bërë të ditur drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

Ai thotë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë te gratë, te burrat është ai i mushkërive.

“Në vitin 2024, për janar-shkurt, në Klinikën e Onkologjisë janë regjistruar 320 pacientë me kancer të llojeve të ndryshme. Dominon prapë si vitin e kaluar kanceri i gjirit dhe këtu shënojmë një numër më të madh se viteve paraprake, dhe njëjtë te meshkujt dominon kanceri i mushkërive, kurse menjëherë pas këtyre dy grupeve janë tumoret e zorrës së trashë dhe tumoret malinjë të organeve gjenitale të femrave”.

“Mosha akoma dominon mbi 50 vjet, pra numri më i madh i pacientëve është mbi moshën 50 vjeçare, por ajo që është problematike në Kosovë dhe vazhdon të mbetet është se kemi raste ndër moshën 50 vjeçare ku sëmundja është në stade të avancuara dhe kur pacientët lajmërohen vonë për me marrë trajtimin adekuat”, thotë Kurtishi.

Për drejtorin e Onkologjisë, shqetësues mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avancuara të sëmundjes.

“Me thënë të drejtën, pasi që sot me kancer të gjirit ne i identifikojmë dhe i kemi identifikuar vitin 2023 rreth 50 për qind të rasteve në stadin e parë dhe të dytë, dhe kjo falë një përkushtimi të madh edhe të stafit të Onkologjisë por edhe të shoqatave joqeveritare që merren me preventim dhe ngritjen e vetëdijes e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit të cilët kanë sensibilizuar në masë të madhe femrat në Kosovë dhe kanë sensibilizuar në bërjen e mamografive dhe ,ultrazërit sidomos te femrat pas moshës 40 vjeçare, por kjo nuk mjafton, duhet të bëhet edhe më shumë dhe shpresojmë se këtë vit ose vitin tjetër nëse fillohet me programet nacionale të skeningut, ne mund të i gjejmë sëmundjet e gjirit dhe sëmundjet e tjera të cilat do të jenë në skrining stade shumë më të hershme kur mjekimi do të jetë shumë i mirë”, deklaroi Kurtishi.

Duke folur për punët që po bëhen në renovimin e Klinikës së Onkologjisë, ai ka treguar se në fillim të muajit maj pritet që të përfundojë gjithçka. Ndër të tjera, ai tha se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

“Sipas punëkryesit, ai gati është në përfundim të punëve të veta në afat rekord, afat më të shpejtë se sa është planifikuar dhe klinika sipas MSh-së dhe ShSKUK-së, pra sipas udhëheqësve të projektit, do të jetë gati në fillim të muajit maj dhe jemi në procedura të furnizimit të klinikës ose pajisjes me inventar ose pjesë tjera përcjellëse dhe mendoj që sapo të sillen këto pajisje, këto pjesë përbërëse të klinikës ose inventar, do jetë një klinikë shumë e mirë me hapësira të reja dhe ne kemi dyfishuar kapacitetet e klinikës, pra nga 45 shtretër do të kemi rreth 100 shtretër në të cilët pacientët do të marrin shërbime onkologjike gjatë 24 orëve dhe kjo do ta lehtësojë shumë punën sidomos stafit të Klinikës së Onkologjisë, por në të njëjtën kohë më e përshtatshme për marrjen e terapisë edhe për pacientët”, u shpreh drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi./EO/

Asnjë koment

Comments are closed.