Rritet numri i vajzave dhe grave ushtare në FSK
Numri i vajzave dhe grave që kanë vendosur t’i shërbejnë atdheut, është duke u rritur çdo vit.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Sipas përqindjes, në vitin 2022, inkuadrimi i vajzave dhe grave ushtarake në FSK ka qenë 10.44%, 4.28% më shumë sesa në vitin 2013.
“Ushtria e Republikës së Kosovës ofron mundësi të barabarta për zhvillimin e karrierës të të gjithë ushtarakëve pa dallim gjinie sepse gratë poaq sa dhe burrat janë të gatshme të luftojnë e vdesin për atdhe” ka thënë ministri Mehaj.
Ky është postimi i plotë i ministrit Mehaj:
Shërbimi ndaj atdheut nuk njeh gjini por punë e vullnet, andaj integrimi i balancuar i të dyja gjinive në FSK mbetet përkushtimi ynë!
Ushtria e Republikës së Kosovës ofron mundësi të barabarta për zhvillimin e karrierës të të gjithë ushtarakëve pa dallim gjinie sepse gratë poaq sa dhe burrat janë të gatshme të luftojnë e vdesin për atdhe.
Me ndryshimet ligjore të miratuara përsa i përket kriterit të moshës që ua mundëson aplikimin çdo të riu dhe të reje deri në 25 vjeç, si dhe aktet nënligjore të cilat janë në proces të miratimit për përkujdesin ndaj familjarëve të ushtarakeve në mision, ushtria çdoherë e më shumë është duke ofruar kushtet e nevojshme për balancimin e jetës profesionale dhe personale, andaj dhe kemi besim të plotë se inkuadrimi i vajzave dhe grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës do të ndjek trendin e rritjes, ashtu që ushtria do të reflektoj në maksimumet e mundshme përbërjen gjinore të popullsisë, duke mundësuar kësisoj avancimin edhe të nivelit të organizmit, bazuar në këndvështrime e përvoja të ndryshme.
Fushata e ardhshme rekrutuese do filloj me datën 28 nëntor, andaj ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e interesuara për t’i shërbyer atdheut në uniformën e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të aplikojnë.
Të jesh pjesë e ushtrisë do të thotë të zgjedhësh t’i shërbesh atdheut me nder dhe krenari kudo në çdo kohë dhe kurdoherë.