23-11-2024

Rukiqi jep lajmin e keq për shitësit e banesave dhe shtëpive

Edhe sektori i patundshmërisë në vend është prekur nga pandemia Covid-19 sikur shumë sektorë të tjerë ekonomik.

Sektori i ndërtimtarisë që ka qenë mjaft i kërkuar në vend pritet të ketë rënie të shitjes së banesave dhe shtëpive të reja në Kosovë për shkak të krizës ekonomike dhe rrezikut të mbylljes së shumë bizneseve dhe vendeve të punës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se janë dy arsye që pritet të ketë rënie të shitjes së banesave, shtëpive dhe lokaleve, sipas të cilit e para për shkak se mjetet nga diaspora do të jenë më të kufizuara, sepse një pjesë e mirë e shitjes ka qenë e lidhur me diasporën.

Kreu i OEK-ut duke thënë se kjo rënie që pritet të ndodhë, është një goditje e rëndë për vendin, deklaron se arsye tjetër e rënies së shitjes, është se këtë vit nuk pritet të ketë blerje të banesave dhe lokaleve nga bizneset vendore, si dhe nga konsumatorët e brendshëm.

“Në statistikat e investimeve të huaja shohim çdo herë se Zvicra, Gjermania ku ne kemi diasporë dominojnë në këto investime në patundshmëri. Ky është problemi i parë, problemi i dytë është që edhe konsumatori i brendshëm ka hezitime me investuar për shërbime apo për mallra esenciale. Në këtë rast blerja e ndonjë banese të re ose ndonjë shtëpie të re ose te bizneset blerja e ndonjë hapësire të re për zgjerim nuk janë në prioritet sidomos jo për këtë verë”, thotë Rukqi.

Kryetari Rukiqi ka thënë se për të mos pasur ngecje të theksuar në këtë sektor, duhet me parë mundësinë përmes sistemit bankar, por edhe duke stimuluar qytetarët dhe bizneset t’i mbajnë këto investime.

“Pra, qytetarët të mos e ulin fuqinë blerëse dhe të ketë një stabilitet në këtë aspekt dhe të nxiten qytetarët që kanë nevojë të blejnë banesa apo shtëpi të reja, në të njëjtën kohë edhe bizneset të përkrahen nëse kanë pasur plane për investime të mos i ndalin ato, por t’i vazhdojnë. Kjo mund të bëhet me një dritare të veçantë të Fondit të rimëkëmbjes apo përmes mekanizmave ekzistues duke garantuar kredi dhe duke dhënë mundësi edhe më inovative, por edhe më të lehta të financimit për këtë kategori”, shprehet Rukiqi.

Ai më tej thekson se nuk është vetëm sektori i ndërtimtarisë dhe patundshmërisë i mbyllur, por që kjo prek dhe ndërlidhë brenda vetes edhe shumë sektor të tjerë të cilët munden me pasur dështime. Kosova pritet ta ketë një rënie ekonomike minus 4.5 për qind, parashikim ky i dhënë nga Banka Botërore. Ndërsa, sipas njohësve të ekonomisë dëmet në ekonomi që janë shkaktuar nga koronavirusi pritet të jenë mbi gjysmë miliardë euro./’Insajderi

Asnjë koment

Comments are closed.