19-04-2024

Sa analfabetë dhe sa doktorë shkencash ka komuna e Prizrenit?

Komuna e Prizrenit vlerësohet të ketë mbi 182 mijë banorë, ndërsa 73 prej tyre kanë doktoraturë të përfunduar, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net.

Në dokumentin “Strategjia komunale për Informim, Komunikim dhe Pjesëmarrje Qytetare 2015-2018” që i referohet Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se aktualisht Komuna e Prizrenit  ka 182.450 banorë, ndërsa nga regjistrimi i popullsisë i realizuar në vitin 2011, rezulton se ka pasur 177. 781 banorë.

Sipas përbërjes gjinore, nga numri i përgjithshëm 89.176 janë meshkuj dhe 88.605 janë femra. Sipas përbërjes etnike, nga numri i përgjithshëm prej 177.781 banorësh, 145.718 banorë janë shqiptarë, 16.896 boshnjakë, 9.091 turq, 2.899 romë, 1. 350 ashkalinjë, 655 goranë, 237 serbë, 168 egjiptian dhe 767 të komuniteteve tjera.

Në dokument shkruan se dy nga 72 zonat kadastre të kësaj komune, Prizreni dhe Arbana janë urbane, ndërsa 70 të tjera cilësohen si zona rurale. 6 zona kadastre të Komunës së Prizrenit janë të pabanueshme. Nga ana tjetër, numri i përgjithshëm i vendbanimeve në territorin e kësaj komune është 76.

Dy nga këto vendbanime janë urbane (Prizreni dhe Arbana) dhe 74 tjera janë rurale apo fshatra. Nga numri i përgjithshëm i banorëve që jetojnë në territorin e Komunës së Prizrenit, 94.517 jetojnë në zonën urbane dhe 83 264 jetojnë në fshatra. Sa i përket strukturës sociale, sipas regjistrimit të vitit 2011, numri i banorëve të moshës e cila konsiderohet e aftë për punë (15-64 vjeç) është 117.178.

Numri i ekonomive familjare është 29.625. Sipas strukturës religjioze, 170.640 banorë të Komunës së Prizrenit janë deklaruar se i përkasin besimit islam, 5.999 atij katolik, 250 besimit ortodoks, 74 besimeve tjera dhe 818 banorë nuk janë deklaruar mbi përkatësinë religjioze.

“Sipas strukturës arsimore, 73 banorë të Komunës së Prizrenit kanë doktoraturë të përfunduar, 615 nivelin master, 5.630 nivelin baçelor dhe 3.189 banorë e kanë nivelin e shkollës së lartë të përfunduar. Nga ana tjetër pa ndonjë nivel të përfunduar të shkollimit janë 12.147 banorë me ç`rast 3.937 prej tyre janë deklaruar se nuk dinë shkrim lexim”, thuhet ndër të tjera në dokumentin “Strategjia komunale për Informim, Komunikim dhe Pjesëmarrje Qytetare 2015-2018” të Prizrenit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.