26-04-2024

Sa mashtrues sot festojnë “Ditën e Veteranit të UÇK-së”?

Tema e veteranëve ka qenë shumë e përfolur në 2-3 vitet e fundit. Numri i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është kontestuar shpeshherë.

Ish-prokurori Elez Blakaj, që ishte ngarkuar me këtë detyrë, ishte marrë me hetimin e listave të veteranëve. Ai në një letër të hapur, kishte deklaruar se numri i veteranëve përfitues të rremë mund të jetë afro 20 mijë. Pohimet e tilla kishin ngritur diskutime të shumta.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë, të cilën e kishte dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën ‘veteranët’, në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

A.Q., N.L., S.H., SH.D., Q.G., SH.B., A.D., RR.B., F.F., S.E., F.SH., XH.J., janë inicialet e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë.

Gjithashtu, pjesëtarët e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, ishin akuzuar për fryerje të listave, shkruan Insajderi.

Të akuzuar ishin: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjithashtu, në aktakuzë ishte propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

E për këtë tollovi me numrin e veteranëve, Organizata e Veteranëve të Luftës së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte kërkuar nga institucionet e Kosovës që çështja e statusit të veteranëve të kthehet në pikën zero. Drejtuesit e kësaj organizate kishin shtuar se kjo duhet të bëhet në mënyrë që të sqarohet gjithçka dhe të hiqen dyshimet për veteranët ‘mashtrues’.

Nga pagesa e kundërligjshme për veteranët e rrejshëm, është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës. Buxheti për këtë thuhet të ketë kushtuar afro 68 milionë euro./indeksonline

Asnjë koment

Comments are closed.