27-04-2024

SBASHK kërkon korrigjimin e ligjit për paga

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka mbajtur sot protestë me kërkesë korrigjimin e Ligjit për Paga.

Me parullat “Duam vend meritor në ligjin e pagave”, “Kryeministër dhe ju ministra mendoni për ne”, “Ju nuk do të ishit pa ne”, “Deputetë mos lejoni të mbyllen shkollat”, marshi protestues ka filluar nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe ka vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, ku protestuesit kanë adresuar kërkesat e tyre.

Protestuesit thanë se pa arsim, ardhmëria e një vendi është e errët. Në emër të 27 mijë të punëtorëve të arsimit e Kulturës, ata kërkuan vend meritor në Ligjin e Pagave.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se po protestojnë për ta shprehur zhgënjimin lidhur me Ligjin e Pagave që u aprovua para disa ditësh.

Kjo protestë është alarm i fundit drejt qeverisë për ta korrigjuar Ligjin e Pagave. Ai tha se nëse Qeveria nuk do t’i përmbushë kërkesat, do të vazhdojnë me grevë.

Kurse Atdhe Hykolli, nënkryetar i BSPK-së, lexoi letrën ETUCE e cila përfaqëson 132 sindikata të arsimit. Ai tha se propozimet e sindikatave nuk janë marrë në konsideratë. Ai tha se pagat e ulëta janë faktor që ndikon në përzgjedhjen e profesionit te të rinjtë.

Kurse profesori Avni Ajdini nga BSPK, tha qeveria e ka harruar punën e mësuesve në vitet e 90-ta. Ai kërkoi nga kryeministri që të marrë hapa konkretë dhe jo premtime. “Ne kërkojmë vepra, jo fjalë”, ka thënë Ajdini.

Vjollca Shala, nënkryetare e SBASHK-ut, tha se kërkesa e SBASHK-ut drejtuar kryeministrit dhe qeverisë, janë që të tërhiqet projektligji për paga, të ngriten koeficienti për paga, të zbatohen kontratat kolektive. Ajo tha se në të kundërtën, ata do të vazhdojnë me veprime sindikale.

Protesta u mbyll nën thirrjen “S’bashku!”./rtk

Asnjë koment

Comments are closed.