Sejdullah Martinaj, mërgimtari që krijon për atdheun
Sejdullah Martinaj është bashkatdhetari ynë nga Hasi i Prizrenit, por që jeton në Holandë. Përkundër mërgimit, ai nuk e ka harruar vendlindjen dhe atdheun. Këtë e ka dëshmuar në krijimet e tij, epike, lirike dhe satirike, të dashurisë, të cilat kryesisht po i publikon në rrjetet sociale. Shkruan për trevat shqiptare. Ai ka botuar librin “Ekzistoj vetëm për ty” ndërsa është i përfshirë në disa libra si bashkautor si dhe një Antologji me poezi.
Në poezinë e tij bie në sy vargu i rimuar, enumeracioni dhe përshkrimi i vendbanimeve si dhe të lagjeve më të mëdha, duke karakterizuar virtytet më të larta të tyre.
Kohët e fundit ka shkruar, disa poezi kushtuar trevës prej nga vjen, pra Hasit. Martinaj i ka thurur vargje, disa fshatrave, si Gjonajt, Zymit, Kushninit, Lugishtës, Rogovës, Demjanit, Krajkut, etj. Poezitë e tij, po pëlqehen dhe komentohen nga lexuesit në rrjetet sociale.
Poeti thotë se ka mbi 1.000 poezi të shkruara, por të pabotuara. Ja dy nga poezitë e tij. E para kushtuar trevës së Hasit, ndërsa e dyta “Fishekun Medaljon” kushtuar stërgjyshit të tij, të pushkatuar nga serbët në kohën e Serbisë së vjetër, në vitet tridhjeta të shekullit të kaluar.
MALËSIA E HASIT
Has i thatë e i Gurit
Has i shqipes e i flamurit
Has i Shqipnisë e i Kosovës
Has i Prizrenit e i Gjakovës
Has i besës e i mirëkuptimit
Has i flijimit e i bashkimit
Has i traditës e i mikëpritjes
Has i besimit e i kontraditës
Has i Kastriotit, Mazrrekut e i Palit
Has i Bogdanit famëmadhit
Has i sakrificës e i luftës
Has i penës dhe i pushkës!
FISHEKUN MEDALJON
I ka vesh tirqit e zhgunit
Vesh jelek e xhamadan
Sypatremni i katundit
Rrustë Martini si kapedan
Rreth plisit mshtjellunë shaminë
Gjogun e bardhë mirë shalue
Martinen n’krah, n’shokë alltinë
Kaluar shpatit trimi tuj shkue
E kish ba at’ udhë rutinë
Se Atdheu kish nisë mu t’kurrë
Ish lidhë trimi me parinë
Me e nal shkan’ që kish ba turrë
Ia shpojnë trimit jelekun
Prej masshpine n’krahënorë
Medaljon e ka fishekun
Për Atdhe ai ra dëshmorë!