Selmanaj (LDK): Pensionistët dhe invalidët e punës, meritojnë më shumë përkrahje dhe kujdes institucional
Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, sot e vizitoi Organizatën Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në këtë komunë, me ç’ rast theksoi se kjo kategori sociale meriton më shumë përkrahje dhe kujdes nga institucionet publike.
“Ditën e filluam me një takim shumë të mirë në Organizatën Komunale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës – OKPIP në Prizren.
Bashkë me bashkëpuntorë dëgjuam nga afër hallet dhe kërkesat e pensionistëve dhe invalidëve të punës. Pamë nga afër edhe kushtet në të cilat po i kryejnë veprimtaritë e tyre.
Është për keqardhje që në ambientet ku veprojnë mungojnë kushtet elementare që aktivitetin e tyre ta kryejnë me dinjitet. Më erdhi keq që rrymën, ujin dhe mirëmbajtjen e paguajnë me financa të veta. E papranueshme!
LDK do të mbetet gjithmonë krah i fortë i të gjithë atyre që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për një shoqëri të hapur dhe me dinjitet!
Faleminderit për mikpritjen”, ka thënë Selmanaj.