23-12-2024

Selmanaj në 35 vjetorin e LDK-së: Rrëfim i paharruar për liri, pavarësi dhe demokraci

Kreu i degës së LDK-së në Prizren, njëherësh deputet, Driton Selmanaj, në deklarim, sot përkujtoi 35 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai e vlerësoi një ngjarje që e nisi dhe i dha hov organizimit politik të popullit tonë në rrethanat më të vështira të historisë.

“Nën udhëheqjen e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, LDK jo vetëm që u bë forca politike e parë e organizuar në Kosovë, por edhe një lëvizje gjithëpopullore që përqafoi idealin e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Presidenti Rugova, me vizionin e tij të qartë dhe përkushtimin për një qasje paqësore, u bë udhërrëfyesi i një populli të tërë në një kohë kur shpresat ishin të zbehta dhe sfidat të mëdha. Ai jo vetëm që frymëzoi organizimin institucional dhe diplomatik të Kosovës, por edhe krijoi një identitet të ri politik dhe kulturor që e bëri të mundur qëndresën tonë deri në fitore”, shkroi ai.

Sipas Selmanajt, LDK, si një lëvizje politike dhe kulturore, ishte më shumë sesa një parti – ishte një mbështetëse e fuqishme e identitetit kombëtar dhe e aspiratës për liri.

“Sot, 35 vite më pas, është detyra jonë të kujtojmë jo vetëm këtë rrugëtim historik, por edhe të reflektojmë për përgjegjësinë që kemi për të mbrojtur vlerat dhe idealet që na mbajtën bashkë në ditët më të errëta.

Në këtë ditë përkujtimore, nderojmë me respekt të thellë themeluesit, aktivistët dhe gjithë ata që u sakrifikuan për Kosovën që kemi sot.

Presidenti Rugova dhe brezi i tij na lanë një trashëgimi të çmuar – një amanet që duhet ta mbajmë gjallë me përgjegjësi dhe përkushtim”, shkroi Selmanaj. /Gazeta e Prizrenit

 

Asnjë koment

Comments are closed.