Policia e Kosovës njofton mënyrën e re se si do të vijnë gjobat
Policia e Kosovës ka funksionalizuar integrimin e Sistemit Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) me platformën shtetërore e-Kosova, duke u mundësuar qytetarëve qasje më të lehtë në informatat për gjobat dhe masat në trafik.
Sipas njoftimit të Policisë, përmes këtij shërbimi të ri, qytetarët do të njoftohen në platformën e-Kosova dhe përmes mesazheve SMS sapo gjoba të regjistrohet në sistem.
Po ashtu, përmes platformës do të mund të shihen informatat për gjobat dhe masat mbrojtëse, ndërsa pronarët e bizneseve do të kenë mundësi të qasen në raportet përkatëse për gjendjen e tyre lidhur me gjobat.

Raportet përfshijnë të dhëna për gjobat e papaguara, masat mbrojtëse ndaj personave fizikë, përfshirë konfiskimin ose anulimin e patentë-shoferit, si dhe pikët negative, sipas të dhënave të regjistruara në sistem.
Në fund, qytetarët janë ftuar ta shfrytëzojnë platformën e-Kosova për t’u informuar për gjobat dhe masat e shqiptuara në trafik.



