05-10-2024

“Serbët kajshin” – Deputetët tregojnë si shkoi votimi e kush ishte kundër Kosovës në KiE

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga pozita dhe opozita, kanë treguar se si Kosova ka kaluar me sukses hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Deputeti i AAK Besnik Tahiri, Saranda Bogujevci nga VV, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, deputeti Enis Kervan nga pakicat dhe Ariana Musliu-Shoshi nga PDK janë shfaqur të lumtur bashkë në një mini-bus derisa po drejtoheshin për në hotel, e më pas edhe në aeroportin e Parisit për t’u kthyer në Prishtinë.

Deputeti Besnik Tahiri ka thënë se janë jashtëzakonisht të lumtur për hapin e bërë nga Kosova. Ai ka treguar edhe votat, duke thënë se me 31 vota për Kosova ka marrë dritën jeshile për të kaluar me sukses hapin e parë.

Për deputetët serbë të pranishëm në mbledhje, Tahiri ka thënë se ata kanë “vajtuar dhe qarë”, tha ai për T7.

Pas Tahiri, ka folur deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se hapi i radhës është më 18 prill, dhe më pas votimi final më 16 maj.

“Është e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Është organizata e parë multilaterale politike ku do të anëtarësohet Kosova. Janë edhe dy hapa. Hapi i radhës është rreth 18 prillit, dhe hapi final më 16 maj, në Këshillin e Ministrave. Dhe ne do të marrim të drejtën e votës. Besoj që gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, tha se ndër hapat të tjerë të rëndësishëm për trajtimin e Kosovës si shtet të barabartë me të gjitha shtetet e tjera, kërkon largimin e fusnotës, e cila që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në Këshillin e Evropës.

“Raporti i aprovuar sot rekomandon që Kosova, bazuar në nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës të ftohet si shtet (state), e jo si vend (country).” – ka shkruar Gërvalla./G. S

Asnjë koment

Comments are closed.