06-11-2024

Sërish shtyhet rigjykimi ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Prizren dhe të tjerëve

Sërish ka dështuar fillimi i rigjykimit ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe të akuzuarve Bekim Thaqi e Bedri Çeku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, si drejtorë të manifestimit “Remzi Ademaj”.

Pas disa shtyrjeve për shkak të ekspertizave financiare, rigjykimi ishte paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, por e njëjta ka dështuar sepse ekipi prej tre ekspertëve financiarë kanë paraqitur një raport shtesë, në kuadër të ekspertizës së tretë të bërë nga ana e tyre.

Prokurori Metush Biraj dhe mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar që seanca të shtyhet në mënyrë që ata të kenë kohë për të shqyrtuar këtë raport shtesë të parashtruar nga ana e ekspertëve financiarë.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka aprovuar propozimin e palëve dhe ka shtyrë këtë shqyrtim për 14 dhe 17 shtator 2018, duke filluar nga ora 09:30.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë  ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, poashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.

Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vite burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim efektiv, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.

Mirëpo, më 27 shtator 2016, Apeli, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunal që i kanë lëshuar mjetet.

Apeli gjithashtu ka kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunal.

Në Aktvendimin e Apelit, tutje thuhet se i akuzuari Nexhat Çoçaj, ka prezantuar një ekspertizë financiare, e cila i kundërshton gjetjet e ekspertizës së organit të akuzës, andaj duhet që të bëhet një super-ekspertizë që të sqarohen kundërthëniet.

Trupit gjykues, duke u bazuar në rekomandimet e Apelit, në shkurt të vitit 2017, ka marrë vendim që në këtë lëndë të bëhet super-ekspertiza financiare dhe lënda është dërguar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës.

Fakulteti në fjalë, e ka mbajtur lëndën gjyqësore për më shumë se shtatë muaj dhe nuk e ka kryer ekspertizën e kërkuar nga gjykata, andaj gjykata në fund të nëntorit 2017, ka marrë vendim që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë privatë nga lista e ekspertëve të gjykatës./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.