Shaqir Totaj denoncon Zafir Berishën për kanosje se do ta ngreh zhag nëpër Prizren para prishjes së koalicionit

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kërkuar ndihmë nga Policia pasi ka denoncuar se është kërcënuar përmes telefonit nga kryetari i Nismës, Zafir Berisha, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Komunës, se Prokuroria Themelore në Prizren tashmë ka nisur hetimet për këtë rast, që dyshohet se ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Totaj ka njoftuar Policinë se është kërcënuar nga Berisha përmes telefonit, i cili dyshohet t’i ketë thënë se do ta ngreh zhag nëpër Prizren, para se ta prishin koalicionin, për shkak të drejtorëve të zgjedhur në shkollat atje dhe “të dashurave” të tyre.

Burimet e njëjta nga Komuna thonë për Sinjalin se Berisha i është drejtuar Totajt se do t’i sqarojnë disa çështje politike, që lidhen edhe me ‘mercenarë’ të Vetëvendosjes.

Përveç kësaj, Totaj edhe është sharë e ofenduar nga Berisha me fjalët “i pafytyrë, pis, robët ka me t’i q”), thonë burimet nga komuna. Ai madje e ka “paralajmëruar” të parin e Prizrenit se nuk do ta lë më kaq, me pretendimet se Totaj e ka shfrytëzuar atë gjatë fushatës zgjedhore.

Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një konfirmim nga dy palët, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Ndërkohë pas interesimit të Sinjalit për të marrë një konfirmim zyrtar edhe nga Policia, zëdhënësi i rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi, ka deklaruar se nuk kanë informacione. Mirëpo burime nga komuna thonë se Drejtoria Rajonale në Prizren për t’i bërë favor Berishës, qëllimisht është duke e mbajtur rastin e fshehur dhe të izoluar nga syri i publikut dhe mediat.

Pavarësisht kësaj, Sinjali do të tentojë të marrë edhe detaje të tjera dhe do të ju mbajë të informuar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/