Shaqir Totaj flet pas prishjes se koalicionit AAK-PDK
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është tërhequr sot nga koalicioni me PDK-në në Prizren. Pas këtij vendimi, kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj në një prononcim për Gazetën Insajderi tha se njëra nga arsyet kryesore të këtij vendimi është kërkesa e tij për ndërrimin e drejtoreshës së shëndetësisë, pozitë të cilën e mbante motra e kryetarit të degës së AAK’së në Prizren.
Kryetari Totaj tha se drejtoresha e Shëndetësisë, Burbuqe Krasniqi nuk kishte performacë të mirë.
“Drejtoresha e Shëndetësisë ka qenë motra e kryetarit të degës së AAK’së. Na kemi kërku që me e ndërru këtë drejtoreshë sepse nuk ka pasur performancë. Na kemi kërku me ndërru drejtoreshën dhe jo me prish koalicionin, ata nuk kanë dashtë dhe janë tërhejkë.” – deklaroi Totaj.
Tutje, Totaj tha se nesër do të tregoj më shumë detaje në konferencë për media.
Ndërkaq, nga AAK kanë njoftuar se ky vendim ka ardhur si pasojë e veprimeve të Shaqir Totajt, të cilat i ka bërë pa u konsultuar me ta.