Shaqir Totaj “punën pick”: A po lobon Adem Grabovci për vota në Kuvendin e Prizrenit?!
Kriza e fundit e qeverisjes komunale të Prizrenit, drejtuar nga Shaqir Totaj, rreth sigurimit të votave të nevojshme, pas dështimit radhazi të dy seancave në Kuvendin Komunal (KK), duket se ka vënë në lëvizje zyrtarë të lartë të PDK-së në qendër, për tejkalimin e gjendjes në kërkim të kuvendarëve “të pavarur”, shkruan sot, Gazeta e Prizrenit.
Dy vjet pas qeverisjes së rehatshme, me komoditet e krekosje, në njërën anë shkaku i fenomenit të “tyxharllëkut”, përkatësisht sigurimit të votave kundrejt joshjes me punësim të asambleistëve apo të familjarëve të tyre, dhe në anën tjetër për mungesë të një opozitarizmi serioz, “biçikleta” e Totajt duket se e ka marrë teposhtën. Vetëlavdërimet e kryetarit e disa drejtorëve i ka demantuar publikimi i raportit të Perfomancës së Komunave nga ana e Ministrisë së APL-së, ku Prizreni, jo që nuk arriti të përfitoj ndonjë grant, sikur Rahoveci, Suhareka, Dragashi e Malisheva, por u radhit në pjesën e fundit të tabelës, në nivel të Kosovës.
Gjendjen e përkeqësoi edhe dështimi i dy mbledhjeve të njëpasnjëshme të Kuvendit Komunal, shkaku i mungesës së 21 votave të domosdoshme për kuorum, nga 41 sa ka gjithsej KK. Pushteti tashmë nuk ka më shumë se 12 vota të sigurta, apo as 1/3 e numrit total të kuvendarëve, shkruan Gazeta e Prizrenit.
PDK që drejton qeverisjen lokale shkaku i kryetarit, zyrtarisht i ka 8 vota, dy i ka partneri i saj i koalicionit Nisma, ndërsa nga një asambleist e kanë Vakat (R. Demiri) dhe KDTP (L. Buş).
Në anën tjetër 18 kuvendarë janë nga opozita. VV i ka 9, LDK 6+1 nga PSHDK dhe AAK dy asambleistë. Pjesë e Kuvendit janë edhe disa kuvendar-e, të cilat kanë dalë nga partitë e tyre duke u deklaruar të pavarur. Bëhet fjalë për 5 syresh (tre nga VV, dy nga PDK dhe një nga AAK), si dhe pjesa tjetër nga komunitetet pakicë.
Për tejkalimin e gjendjes ka pasur lëvizje nga strukturat qendrore të PDK-së. Burime të portalit “Gazeta e Prizrenit” njoftojnë se Adem Grabovci, ka qëndruar në Prizren, në përpjekje për të siguruar vota, ndërsa në target janë kuvendarë që kanë dalë nga partitë, të deklaruar si “të pavarur”.
“Po, ka pasur një takim në një restorant në Vërmicë, dhe aty ka qenë edhe një zyrtar prizrenas në Këshillin Drejtues të PDK-së, por nuk mund të them më tepër”, konfirmoi një burim me kusht anonimiteti.
Sipas një burimi tjetër, që preferon të mbetet anonim, kjo nismë është ndërmarrë pasi konsiderohet se veprimet e Totajt po e dëmtojnë PDK-në, meqenëse disa njerëz e aktivistë me ndikim, të cilët kanë ndihmuar në fitoren e “zorshme” të Totajt, në shenjë pakënaqësie janë larguar dhe se kjo situatë do të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme.
Balancën e qeverisjes së Totajt e prishi AAK, pasi në fillim të vitit doli nga koalicioni, sikurse dhe qëndrueshmëria e asambleistëve për ta shmangur dukurinë e mëparshme të votimeve kundrejt joshjes për interesa personale nga pushteti apo “tyxharllëku”, çështje kjo të cilin Gazeta e Prizrenit e ka trajtuar gjatë dy javëve të shkuara.
Në këtë kontekst, partitë opozitare në Prizren, AAK ka mbajtur takime të përbashkëta me Vetëvendosjen e LDK-në, me qëllim të koordinimit të veprimeve të mëtejme pas situatës së krijuar në Kuvendin e Prizrenit. / Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Sërish dështon mbledhja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit