Shaqir Totaj, zgjedhet anëtar i Bordit të Ligës Unike në basketbollin shqiptar

Të enjten në zyret e Federatës së Basketbollit të Shqipërisë (FSHB) në Tiranë, është mbajtur takimi i parë i Bordit Drejtues të Ligës Unike.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se anëtarë të Bordit Drejtues të Ligës Unike janë: Shaqir Totaj, Edmond Biqoku, Elvira Dushku, Korab Llazani, derisa kryetar është zgjedhur Ilir Trebicka, një emër i njohur që ka dhënë shumë kontribut në basketbollin shqiptar apo edhe ikonë e basketbollit shqiptar.

Bordi më pas e emëroi drejtorin e Ligës, Dren Zatriqin, kurse sekretar Teknik është zgjedhur Fidan Hamiti. Ndërkohë, zyrtari i Marketingut do të jetë Dren Hasangjekaj, kurse zyrtare e Financave, Nadire Kajashi, transmeton KOHA.

“Në këtë takim u zotuan se do të punojnë që kjo ligë të jetë sa më e suksesshme dhe interesante për publikun, klubet dhe adhuruesit e basketbollit. Takimi i radhës i Bordit do të mbahet në Prishtinë, ku do të diskutohet për detaje tjera të Ligës Unike”, thuhet në komunikatë.

Sonte nga ora 19:00 edhe zyrtarisht do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, në praninë e Besa Shahinit, ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Vlora Dumoshit, ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.

Liga do të ketë tetë skuadra. Katër më të mirat nga Kosova dhe Shqipëria.