10-05-2025

Shaqiri ndan momentet më të rëndësishme të karrierës

Xherdan Shaqiri ka pasur një karrierë të pasur si futbollist, si në nivel klubesh ashtu edhe me Përfaqësuesen e Zvicrës.

Pas shumë aventurave në futbollin evropian dhe amerikan, në verën e kaluar ai u kthye në skuadrën e Baselit, aty ku nisi gjithçka. Tashmë është pranë fitimit të titullit me këtë ekip. Gjatë karrierës ka luajtur për gjigantët Bayern Munich, Inter, Liverpool, Lyon, Stoke City dhe së fundmi për Chicago Fire në MLS. Ka fituar trofe të shumtë, përfshirë dy Liga të Kampionëve, tituj në Bundesligë dhe Premier League.

Shaqiri i dha lamtumirën përfaqësueses zvicerane pas 125 paraqitjeve dhe 32 golave, duke qenë një prej figurave më të rëndësishme në historinë e saj.

Në një intervistë për “Bluesport”, ai foli për karrierën e tij me emocione, duke ndarë momente të veçanta me bashkëlojtarë, kundërshtarë dhe trajnerë.

“Nëse do të duhej ta zgjidhja njërin, është Franck Ribery. Kam kaluar shumë mirë me të, brenda dhe jashtë fushës. Ai është emocional dhe i drejtpërdrejtë. Ndonjëherë kemi luajtur lojën gur-letër-gërshërë në autobus. Humbësi është dashur ta gjuajë me diçka trajnerin. Nëse nuk e gjuaje, Ribery bëhej shumë nervoz”, tha Shaqiri duke qeshur.

I pyetur për kundërshtarin më të vështirë që ka pasur përballë, Shaqiri veçoi ish-mbrojtësin e Real Madridit.

“Sergio Ramos. Gjithmonë kam pasur respekt për të. Ai ka qenë lojtar shumë agresiv”, theksoi ai

Shaqiri debutoi me Përfaqësuesen A të Zvicrës më 3 mars 2010 dhe kujton me krenari golin e tij të parë.

“Goli im i parë për Zvicrën, si 17-vjeçar ndaj Anglisë në Basel. Ajo ishte unike. Njerëzit jashtë ndoshta dëgjuan për mua për herën e parë pas atij goli. Ka qenë shumë e veçantë për mua dhe do ta kujtoj përherë”.

Në fund, Shaqiri foli edhe për trajnerët që e kanë ndihmuar gjatë rrugës dhe për stadiumet më mbresëlënëse.

“Me të gjithë trajnerët, përfshirë Guardiolan, Kloppin, Heynckesin, kam pasur momente të mira e të këqija. Është normale. Por do ta veçoja Ottmar Hitzfeldin. Ai më mori në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut kur isha 17-vjeçar. E kujtoj edhe tani sa i befasuar ishte trajneri i atëhershëm i Baselit, Thorsten Fink, pasi unë isha ndërsa Valentin Stocker mungonte. Ottmar gjithmonë më ka besuar dhe ma dha rastin edhe pse isha i ri në moshë. Ajo më ka ndihmuar të transferohesha te Bayern Munichu”, u shpreh ai.

Për stadiumet, ndonëse ka luajtur në shumë të tillë, një përvojë në Skoci i ka mbetur në mendje.

“Ndeshja me Interin në udhëtim te Celticu. Nuk kisha përjetuar kurrë një gjë të tillë. Tifozët e Celticut e këndonin këngën ‘You’ll Never Walk Alone’ para çdo ndeshjeje. Ishte e zhurmshme. Luajtëm 3:3, shënova gol. Në secilin gol të shënuar, mendoja se stadiumi po dridheshte. Ishte çmenduri!”, deklaroi Shaqiri./GS

Asnjë koment

Comments are closed.