Shefi i Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj ndihet i pafajshëm

Prokuroria Themelore në Prizren, të martën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër shefit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas organit të ndjekjes, Osmankaj akuzohet se në kundërshtim me dispozitat e Ligjit mbi Prokurimin Publik, ka lejuar zbatimin e një kontrate, e cila nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ishte anuluar.

Në anën tjetër Osmankaj është shprehur i gatshëm për ballafaqim me organet e drejtësisë, për ta vërtetuar pafajësinë e tij. Ndërsa organet drejtuese komunale gjatë ditës nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim lidhur me këtë çështje, shkruan Koha Ditore.

Prokuroria në Prizren përmes një komunikate ka bërë të ditur se Departamenti i Krimeve të Rënda “ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet I.O., në cilësi të personit zyrtar si shef i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, për veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.