Shembja e urës mbi det

(Homazh për poetin arbëresh, Zef Kakoca)  

Arben Veselaj

Javën e tretë të këtij frori me borë dhe acar, qielli i Arbërisë së Vjetër të përtejdetit, u shndritë për një çast nga bardhësia e shpirtit të poetit, këngëtarit dhe atdhetarit të madh arbëresh, Zef Kakoca. Ai hoqi frymën e fundit në një spital të Kantazaros në Itali, në moshën 64 vjeçare. Zefi, apo Pino (Pino Cacozza), siç njihej me emrin përkëdhelës, qe njëri nga pasardhësit e rrallë të arbërorëve fisnikë që e pasuan me krenari flakadanin e qytetërimit evropian të shqiptarëve, bartur në tokën italike, pesë shekuj më parë. Ai qe njëri nga intelektualët e rrallë i cili tërë jetën ia kushtoi ruajtjes dhe promovimit të kulturës identitare arbëreshe: arbërishtes së vjetër, letërsisë arbëreshe, e sidomos të muzikës legjendare të arbërorëve të Italisë.

Që në vitet ‘70-të emri i Zef Kakocës u bë i njohur si poet dhe kantautor. Duke qenë se kishte studiuar letërsinë frënge, poezia e tij, edhe pse e formatit dhe e strukturës klasike, përvijon doemos traditën e rapsodive legjendare arbëreshe, me mallin për atdheun e humbur dhe melankolinë monumentale përbrenda. Poezia e Zef Kakocës edhe pse i ka të gjitha shenjat e modernitetit letrar, megjithatë, brenda saj e ruan ndjeshmërinë e pararendësve të tij romantikë, sidomos të poetit që ai e kishte për zemër, Jeronim De Radës. Në poezinë e Zef Kakocës gjen vend një vizion i ri i shikimit të botës; edhe pse në një kontekst ekzistencialist ai asnjëherë nuk i shmanget kontekstit historik. Emri i Zef Kakocës si poet radhitet mes emrave më të nderuar të poezisë arbëreshe të gjysmës së dytë të shekullit XX, si: Voreo Ujku, Karmel Kandreva, Dushku Vetmo, Lluka Perrone, Zef Skiro Di Maji, Pietro Napoletano, Agostin Xhordano, Enca Skutari, Mario Bellici etj.

Në botën arbëreshe Zef Kakoca qe i njohur jo vetëm si poet e profesor i gjuhës dhe i letërsisë, por edhe si këngëtar virtuoz. Me angazhimin këmbëngulës gjatë tërë jetës ai u konsiderua përfaqësues i këngës poetike arbëreshe, apo siç e kanë quajtur shpesh: “pasues i rapsodisë tradicionale arbëreshe”. Paraqitjet publike në skenën e Festivalit të Këngës Arbëreshe, me recitalet e njohura muzikore – teatrale, si: “De Rada dhe Milosao”, “Rrënjat e Arbërisë”, “Udhëtimet e Arbërisë”, “Homazh De Radës” etj., zbuluan talentin e rrallë të tij si këngëtar, dhe, në përgjithësi, si një artist ambivalent.

Për disa javë resht Zef Kakoca e vuajti një sëmundje të papritur, e cila nga një ftohje e lehtë në mushkri, shpejt u bë mort për të. Unë e njoha në verën e vitit 2019, përmes mikut tim, poetit dhe kantautorit nga Prishtina, Ilir Shaqiri. Kishte vite qëkur Iliri e Zefi kishin një miqësi shumë të sinqertë, shkonin me njëri-tjetrin si dy vëllezër. Ata sikur e kishin kërkuar shumë gjatë, dhe, më në fund, e kishin gjetur njëri-tjetrin në magjitë dhe misteret e këngës shqipe. Ilir Shaqiri dhe Zef Kakoca qenë inspirim për njëri-tjetrin … mbase nga miqësia e tyre do të mund të jenë shkruar edhe dy romane: “Lemza e Dheut” (Ilir Shaqiri) dhe “Toka e Yllit” (Zef Kakoca). Ishin takuar për herë të parë në kryeqendrën e arbëreshëve të Kalabrisë, në Shën Mitër Koronë. Nga një cep i sheshit “Skënderbeu”, Zef Kakoca i kishte thirrur Ilirit me zërin e tij skofiar: “Oj, vëlla, kush të solli te udha ime”?

Për shumë vjet Zefi dhe Iliri ai thanë dyzërash këngës shqipe duke shkrirë brenda saj epikën e veriut shqiptar dhe rapsodinë arbëreshe. Këngët që kënduan bashkë këta dy artistë, si: “Jam arbëresh”, “Ura mbi det”, “Duro Zemër” etj., i dhanë karakter përtëritës lidhjeve vëllazërore mes kosovarëve dhe arbëreshëve. Njëra prej këngëve që ata bashkë e shkruan dhe e kënduan (“Ura mbi det”) seç ka një paralajmërim: “Po zgjohet delli, një dritë e re, po lidhen brigjet mbi atdhe”! Ky varg  ngjante me një ogur të bardhë për një “urë të gjallë” mbi det, të cilën Zef Kakoca dhe Ilir Shaqiri bashkë po përpiqeshin ta ngrehnin.

Shpesh mendoja me vete se sa më fat isha që e kisha takuar Zef Kakocën, që kisha lidhur miqësi me të. Duke iu falënderuar atij në vitin 2020 arrita ta realizojë librin “Triptikon arbëresh”. Shpresoja që me ndihmën e Zefit sërish do të mund të shkoja në Kalabri e Sicili, për ndonjë projekt tjetër … kushedi, mbase në kërkim të gjenezës së letërsisë shqipe. Por, papritmas, gjithçka u përmbys. Miqtë tanë nga Kalabria, në vend që të na përcillnin ndonjë video nga ndonjë koncert apo recital të Zef Kakocës, siç bënin rëndom, këtë të diel na përcollën videon funebre nga varrimi i tij.

Gjatë udhëtimit nëpër katundet arbëreshe, në vitin 2019, Zef Kakoca jo vetëm që na priti e na përcolli me shumë ndere, por ai na u bë edhe udhërrëfyes i rrugëtimit tonë. Mes shumë gjërave interesante që Zefi na rrëfeu gjatë atij pelegrinazhi të paharrueshëm, qe një moment ku na ftoi që t’i vizitonim varrezat e Shën Mitrit, për t’u njohur nga afër me kulturën e funerale të arbëreshëve. Ai na dëfteu varrin e familjes së tij. Aty i pushonin përjetësisht të dy prindërit, Luigji dhe Paskualina. Varrezat e arbëresheve në të vërtetë ishin pasqyra më reale e kulturës dhe shpirtit arbëror që gjallon në brigjet perëndimore të detit Jon. Më shumë se prej shumëçka tjetër, nga gurët e varreve ata sikur duan të na rrëfejnë fisnikërinë e tyre të lashtë. Vezullima e kryqeve madhështore mbi secilin varr e bënte disi pikëllues atë shkëlqim të fshehur pas atij mali me lisa të lartë. Iliri dhe unë e ndoqëm nga pas Zef Kakocën sikur në një procesion, derisa ai ndaloi te varri i familjes së tij. O zot, një varr për një familje, këtë s’e kisha parë kurrë! Katakombi i familjes Kakoca ishte një arkëmort i madh prej mermeri, varret ishin të futura në muret e katakombit. Aty kishte dhe një të tillë të zbrazët. Zefi tha se ishte varri i tij.

Kur dolëm në parkingun e varrezës, Zefi u përkul në tokë dhe mori një guralec. Pasi u sigurua se po e ndiqnim se çfarë po bënte, e hodhi guralecin pas shpine. “Guri i hedhur”, – tha Zef Kakoca, “është një rit i lashtë, si një dëshirë e hedhur, që kur të vdes fati të më sjell sërish këtu, për t’u prehur përgjithmonë”! Duke e shikuar Zefin me habi, gati sa s’më shpëtuan lotët. Atë çast m’u kujtua një fjali e mjeshtrit të madh të prozës shqipe, Mitrush Kutelit, i cili në një reportazh që kishte shkruar për Prizrenin në vitin 1942, ndërsa i përshkruan varret e ortodoksëve shqiptarë, na jep një nga tablotë nga më të ndierat e letrave shqipe: “Vaje e lot shumë – kështu është ortodoksia: mistike, sentimentale, lakrimogjene”.

Ndërsa po i shkruaj këta rreshta dhe po e kujtojë këtë episod me Zef Kakocën, po ndihem si me faj, sepse në librin “Triptikon arbëresh” krejt padashur e kisha përshkruar varrin bosh të Zef Kakocës. Tani që ai përgjithmonë po prehet aty, jam i bindur se do të jetë njëri nga varret më të nderuar të arbërorëve të përtejdetit.

(Prishtinë, më 23.02.2021)