26-04-2024

Sherr në një market afër Landovicës, pesë të lënduar, tre prej të cilëve nxënës e arsimtarë nga Vushtrria

Pesë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tre prej të cilëve nxënës dhe arsimtarë të një shkolle nga Vushtrria, e cila po realizonte një ekskursion pas një sherri, që sipas policisë ka plasur në një market afër Landovicës së Prizrenit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Sipas policisë, ngjarja  ka ndodhur sot rreth orës 15:30 minuta.

Vesel Gashi, nga zyra për media pranë policisë rajonale në Prizren, konfirmoi për portalin se të lënduar, por të natyrës së lehtë janë dy mësimdhënës, një nxënës nga Vishtrria dhe dy punëtorë të marketit “Laja”.

Policia kishte  pranuar një informacion për një rrahje në fshatin Landovicë, ku dyshohet se 3 persona janë përfshirë në një rrahje ndërmjet nxënësve dhe arsimtareve të një shkolle nga Vushtrria e cila ishte në ekskursion.

“Policia ka intervenuar menjëherë, ndërsa në vendin e ngjarjes ka ndaluar të dyshimtit dhe për momentin është duke kryer procedurat e intervistimit në polici”, konfirmoi Gashi.

Është njoftuar prokurori kujdestar dhe rasti po vazhdon të hetohet për shkaqet për të cilat ka ndodhur incidenti i rrahjes./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.